Vihet në pranga shtetasi shqiptar, i akuzuar për herë të dytë për trafikim lëndësh narkotike.

Një shtetas shqiptar ka qenë në shënjestër të policisë nën akuzën për kultivim, magazinim dhe trafikim të drogës nga hetuesit e qytetit Gythio të Peloponezit. Pavarësisht se ishte në dijeni të faktit që ishte në kërkim, 50-vjeçari shqiptar e vazhdonte punën e tij të paligjshme.

Shqiptari kishte ndryshuar vend veprimi dhe i fshehur në qytetin Amaliada të Peloponezit, trafikonte kanabis në ambalazhe të ligjshme duhani. Infomacionet për veprimtarinë e tij mbërriten në veshët e oficerëve të policisë që merren me operacionet kundër Narkotikëve. Ata e kapen shtetasin shqiptar në flagrancë, duke shitur drogë dhe e arrestuan.

50-vjeçari mbante me vete tre paketa standarde duhani, brenda të cilave, në vend të duhanit gjendej 42,3 gram kanabis i papërpunuar, të cilin policët e konfiskuan. 50-vjeçari u dërgua në Prokurorinë e Amaliadas, ku i ngarkuan një tjetër ndjekje penale për trafikim droge. Prokuroria e Amaliadas urdhëroi transferimin e tij në Gythio për t’u përgjigjur mbi akuzat e mëparshme.

 

d.gj/ Shqiptarja.com