GREQI - Një 24-vjeçar është vënë në prangat e policisë greke pasditen e kësaj të hëne pasi ishte përfshirë në vrasjen e një të riu afgan më datën 8 mars të këtij viti në Athinë.
Shqiptari dyshohet se është i lidhur me bandën ‘Luanët’ dhe akuzohet se ka qëlluar një të ri afgan jashtë një dyqani më 8 mars, në një përleshje mes një grupi shqiptarësh dhe afganësh.
Si rezultoi nga hetimet policore, shqiptari me të arritur në rrugën Akakiou ku po ndodhte përleshja, ka drejtuar pistoletën në drejtim të grupit të afganëve duke qëlluar për vdekje në kokë njërin prej tyre, por pa plagosur ndonjë tjetër.
Sipas policisë greke, motivi i kësaj përleshjeje ka qenë trafiku i drogës. Vlen të theksohet, se i arrestuari ka qenë i akuzuar në të kaluarën për bashkëpunim në vrasje me dashje dhe tentativë për vrasje, si dhe për formim bande.
Akuzohet gjithashtu për grabitje, armëmbajtje, sulm dhe grabitje me dhunë, kërcënim, dëmtim të pronës private, shkelje si dhe për dhunë në familje.