ATHINE - Qeveria greke po mbjell erë për të korrur furtunë. Me një ligj të ri, i cili po përgatitet dhe do të paraqitet në Parlament nga ministri i Punës, Janis Vrucis, ndryshon rrënjësisht mënyrën e deritanishme tw shpalljes së grevave, si edhe ngritjen dhe funksionimin e organizatave sindikale.

Kjo lëvizje e qeverisë greke, pritet që të sjellë një valë të madhe protestash e grevash në Greqi, ndërkohë që reagimi i parë vjen nga Partia Demokracia e Majtë, e cila është në koalicionin qeverisës. Zëdhënësi i kësaj partie ka reaguar ashpër: “Nga e merr të drejtën ministri i Punës që të hapë një diskutim të tillë në lidhje me ndryshimet në ligjin për sindikatat, për ndryshimin në mënyrën e shpalljes së grevave, si edhe rikthimin e antigrevave, si edhe strukturën e ndërtimit të sindikatave?”.

Sikundër mësohet, synimi i ligjit të ri është që të vendosen baza të reja normative, të cilat t’u korrespondojnë e t’u përshtaten kushteve aktuale në Greqi. Do të rishqyrtohen gjithashtu të drejtat e sindikalistëve. Në të njëjtën kohë është duke u diskutuar edhe mundësia e rikthimit në fuqi të antigrevës (lok aut), d.m.th. mbyllja e sipërmarrjes nga ana e punëdhënësit në rast të grevave të vazhdueshme.