ATHINË, 29 dhjetor /ATSH-ANA-MPA/ - Bëmë ç'ishte e mundur që parlamenti të zgjidhte presidentin dhe të shmangeshin zgjedhjet e parakohshme, që nuk i interesojnë vendit, deklaroi sot kryeministri grek, Antonis Samaras pas votimit të tretë të parlamentit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
"Një minorancë deputetësh tek të cilët përmblidhet SYRIZA dhe 'Agimi i artë' po e çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme. Ata që refuzuan zgjedhjen e presidentit mbajnë përgjegjësi të plotë", theksoi Samaras.
Kryeministri bëri të ditur se nesër do të takohet me presidentin e republikës për t'i komunikuar shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve për më 25 janar.
"Javët e ardhshme populli do të mësojë gjithë të vërtetën për gjithçka ka ndodhur, sesa afër daljes nga kriza ndodhemi", tha Samaras.
"Mos keni asnjë dyshim, pasi fitorja do të jetë jona", përfundoi ai./ a.jor.