GREQI- Një çift bashkëshortësh së bashku me dy mbesat e tyre me origjinë shqiptare janë vënë në pranga pasi janë kapur me një sasi të madhe kokaine në Selanik. Ky aktivitet kriminal drejtohej nga 3 shqiptarë një burrë gruaja e tij dhe njëra prej mbesave. Kreu i grupit, i arrestuar tashmë, është Arjan Xhafaj, 50 vjeç nga Cakrani i Fierit dhe bashkë me të është arrestuar edhe bashkëshortja, Lutmira Xhafaj 42 vjeç, pronare e një bar-kafe në Cakran.
Burimet e policisë së Greqisë bëjnë me dije se asnjë prej të arrestuarve nuk ishte shoqëruar, apo dënuar më parë. 50-vjeçari kishte rolin e importimit të sasive të mëdha të kokainës nga vendet e Amerikës Latine ndërsa mbikëqyrte të gjitha lëvizjet e mëtejshme në territorin grek dhe në të gjitha vendet evropiane. Siç shihet edhe nga pamjet, kokaina ishte e paketuar dhe në ambalazh, kishte simbolet naziste.
Por si arriti policia greke të binte në gjurmët e bandës me drejtues shqiptarë? Ditën e djeshme, autoritetet greke kryen një operacion nga punonjës policie të Departamentit të Çështjeve të Përgjithshme të Nëndrejtorit të Prokurorisë së Narkotikëve Selanik, gjatë të cilit dy prej autorëve, lëviznin me makina pasagjerësh me qira. Njëri prej tyre, Klevis Muskaj është ndalur për t'u kontrolluar, ndërsa drejtuesi i mjetit të dytë, në tentativë për t'u arratisur është përplasur me makinën dhe është përplasur në rrethojën e ndërtesës, pa raportuar për lëndime. Ai u identifikua si Avelino Feimi, 33 vjec, nga Vlora. Dy drejtuesit e mjeteve, rezultojnë nipat e Arjan Xhafajt. Në banesën e këtij të fundit u arrestua edhe Ilirian Baraj, 35 vjeç nga Fieri, me shtetësi greke.
Në kontrollin e kryer në dy makinat, por edhe në një shtëpi ku banonin tre nga të arrestuarit, janë gjetur dhe konfiskuar:
585 kg e 208 gramë kokainë, të paketuara në 500 pako
7440 euro të ardhura nga trafiku i drogës
7 telefona të përdorur për të komunikuar me njëri-tjetrin
Detektor metali dhe sende të tjera.
Gjithashtu u sekuestrua një makinë pasagjerësh në pronësi të drejtuesit të organizatës.
Të arrestuarit me dosjen e ngritur ndaj tyre do të dërgohen në Prokurorinë e Shkallës së Parë Selanik.