Hetimet kanë vijuar për shpërthimin tragjik në zonën e Plakës në Athinë, ku humbën jetën gjashtë persona. Mediat greke kanë publikuar fotografi të tubacioneve të gazit natyror që u dëmtuan gjatë vjedhjes, duke dokumentuar pikat ku ndërhyrën autorët e dyshuar.
Pas një pune të hollësishme, specialistët e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Zjarrit arritën të nxjerrin nga rrënojat të gjithë mekanizmin, përfshirë matësin e gazit dhe tubat përreth tij. Analiza e tyre identifikoi dy pika të veçanta: vendin ku ishte prerë tubi për t'u vjedhur dhe një tjetër segment ku ishte shkaktuar dëmtimi që solli rrjedhjen e gazit.
Ndërkohë tre të arrestuarit, një shqiptar 34-vjeçar dhe dy grekë, kanë pranuar se janë personat që shfaqen në kamerat e sigurisë duke hyrë në ndërtesë, por nuk bien dakord se kush e kreu ndërhyrjen në tubacion.
Sipas mediave greke, 55-vjeçari grek pretendon se tubin e ka prerë shqiptari 34-vjeçar. Ky i fundit ia atribuon përgjegjësinë 55-vjeçarit, ndërsa personi i tretë dyshohet se kishte rolin e vëzhguesit gjatë vjedhjes.
Të dhënat e hetimit tregojnë gjithashtu se tre të dyshuarit kanë një histori të gjatë përplasjesh me policinë. Njëri prej grekëve rezulton të jetë evidentuar rreth 45 herë nga autoritetet, nga viti 1985 deri në vitin 2026. Greku tjetër ka 13 raste të regjistruara, ndërsa shqiptari është përfshirë në më shumë se 20 raste nga viti 2019 deri në vitin 2026. Në total, bëhet fjalë për rreth 80 përfshirje të mëparshme me autoritetet, kryesisht për vjedhje, grabitje dhe çështje narkotikësh.
Ndaj të treve janë ngritur akuza të rënda, mes tyre për shpërthim dhe zjarrvënie me pasojë vdekjen e njerëzve, si dhe vrasje me dashje eventuale, në bashkëpunim.

Komente
Komento