ATHINË, 17 gusht /ATSH-AFP/ - Zgjedhjet e parakohshme në Greqi janë të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit, që ka nisur zbatimin e planit të tretë të shpëtimit në pesë vjet, theksoi sot ministri i Energjisë, Panos Skourletis.
"Zgjedhjet janë të nevojshme për arsye të stabilitetit politik. Duke marrë parasysh problemet në maxhorancën parlamentare të qeverisë, situata është pak e qendrueshme aktualisht", theksoi Panos Skourletis për "Skai TV".
Në fakt, gjatë votimit të premten në Parlamentin grek për këtë plan, 43 nga 149 deputetë të Syrizas, partia e majtë radikale e kryeministrit, Aleksis Cipras, votuan kundër ose abstenuan.
Edhe me 13 votat e ANEL, partneri i Syrizas në koalicionin qeveritar, maxhoranca e Ciprasit ra gjithashtu nën pragun prej 120 nga 300 deputetë.
"Një humbje e tillë për një maxhorancë parlamentare është e pazakontë", theksoi Skurletis.
Dhe nëse ai siguroi lehtësisht miratimin e këtij plani në sajë të votave të opozitës, Cipras nuk është i sigurt për të marrë këtë mbështetje gjatë votimeve të ardhshme për masa të ndryshme të vështira që përfshihen në marrëveshje, në këmbim të kredive të reja për një shumë prej 86 miliardë eurosh.
Deputeti evropian i Syrizas, Dimitris Papadimoulis, theksoi për të njëjtin televizion, se ishte e mundshme dhe logjike që Cipras të kërkojë një votëbesim pas votimit të të premtes dhe i gjykoi shumë të mundshme zgjedhjet në muajt e ardhshëm./
/ec/












