Ndërsa vazhdon të jetë e tensionuar situata në Greqi ku mijëra refugjatë sirianë apo nga vende të tjera në konflikt presin një zgjidhje që do ti çojë ata drejt Europës, grupe trafikantësh po shfrytëzojnë më së miri rrjetet sociale në përpjekje për t'i bindur emigrantët të kalojnë drejt kufirit me Shqipërinë.

Siç raportojnë disa media greke, faqe të ndryshme në Facebook apo në Twitter kanë publikuar madje harta të cilat i tregojnë refugjatëve për “rrugë të sigurta” drejt Europës duke i ftuar të lëvizin drejt kufirit shqiptaro-grek, nga aty më pas të shkojnë në Itali përmes detit.

Me mbylljen e kufijve në Ballkan, këto harta u ofrohen refugjatëve si mënyra më e mirë për të provuar fatin drejt Europës.

harta

harta

sharta

Një nga hartat e cila gjendet në faqen transit Albania madje ofron një plan me 3 hapa e madje me koordinata të sakta gjeografike që refugjatët duhet të ndjekin dhe është në gjuhën angleze dhe në atë arabe.

Hapi i parë sipas hartës që shihni është ai që i fton refugjatët të shkojnë drejt kufirit shqiptar në pikën kufitare të Kakavijës. Shkoni drejt detit në Vlorë-thuhet në hapin e dytë ndërsa hapi i tretë-mirësevini në Itali, vetëm 70 km larg Europës thuhet në hartë.

Në fund madje ka edhe një fjali mjaft interesante: "Gjeni trafikantin tuaj lokal". "Shumë refugjatë që kanë tentuar fatin drejt territorit shqiptar kanë patur eksperiencë të keqe. Por nuk i dihet nëse dëshpërimi do ti shtyjë ata drejt kufirit apo jo”- thonë mediat greke.

Vetëm një ditë më parë, prestigjiozja Wall Street Journal publikoi një reportazh të gjatë ku shpjegonte se si mbyllja e rrugëve ballkanike ka bërë që të lulëzojë biznesi i trafikut të qenieve njerëzore nga grupe që e kanë bazën e tyre në Athinë.

Redaksia Online
Shqiptarja.com