ATHINË, 27 shkurt /ATSH-AFP/ - Uashingtoni i kërkoi Athinës sqarime për reformat e ardhshme, projektet përsa i përket privatizimeve dhe planeve të saj për mbulimin e borxheve financiare këtë vit, theksoi sot ambasada amerikane në Greqi, në përfundim të një vizite zyrtare.
Amanda Sloat, e ngarkuar për Greqinë, Turqinë dhe Qipron si sekretare amerikane e Shtetit për Çështjet evropiane dhe euroaziatike, zhvilloi takime me disa zyrtarë të qeverisë greke të së majtës radikale.
"Gjatë këtyre bisedimeve, ajo u kërkoi më shumë informacione lidhur me programin e reformave të parashikuara nga Greqia, se si vendi parashikon të mbulojë borxhin financiar në vitin 2015 dhe qëllimet e qeverisë përsa i përket privatizimeve", sipas një komunikate të publikuar nga ambasada.
"Uashingtoni dëshiron të shohë Greqinë të luajë një rol të ekuilibruar në rajon", thuhet në komunikatën e ambasadës, por Sloat këmbënguli, gjatë takimit me zëvendësministrin, Euclides Tsakalotos, i ngarkuar me çështjet evropiane në Ministrinë greke të Punëve të Jashtme, mbi nevojën që Greqia të japë më shumë detaje për propozimet e reformave./
/ec/