GREQI – Shtohet misteri i vajzës së vogël bionde që u gjet në një kamp romësh në Farsala në Greqi , në 16 tetor nga policia.  Një çift grek ka kërkuar të bëjë testin e ADN-së për të parë nëse Maria mund të jetë fëmija i tyre, ndërkohë që një kushuri i çiftit rom ka pohuar se vogëlushja iu është shitur atyre nga nëna e saj biologjike, një grua bullgare.

Ndërsa hetimet e policisë vazhdojnë, deri tani dihet vetëm që : Maria nuk është fëmija biologjik i çiftit rom me të cilët ajo jetonte; çifti rom u arrestua dhe akuzua për rrëmbimin e të miturës;

Sipas njoftimit zyrtar të policisë , gjatë një operacioni të rastit në kampin e romëve në Farsala, u gjend një vajzë me lëkurë të bardhë, flokëverdhë dhe sy të gjelbër, karakteristika krejt të ndryshme nga ato të prindërve të saj të pretenduar.

Çifti rom u dërgua në komisariatin e Larisës dhe gjatë marrjes në pyetje nga ana e oficerëve të policisë, e  ndryshuan në mënyrë të përsëritur historinë e tyre në lidhje me mënyrën se si e morën fëmijën , një fakt që ka forcuar bindjen e zyrtarëve që vajza e vogël nuk ishte fëmija i tyre.

Testi i ADN-së më pas tregoi se nuk kishte asnjë lidhje gjenetike ndërmjet saj dhe bashkëshortëve romë.

Gjatë hetimeve u zbulua se dy vendasit romë, në vitin 2009,  e kanë marrë vajzën nga prindërit e saj biologjikë në rrethana të panjohura deri tani. Ata kanë arritur edhe të rrëmbejnë nga regjistri lindjes së Bashkisë së Athinës, çertifikatën e lindjes së vajzës dhe të pagëzimit .

PRINDERIT E MARIAS, NJE PISTE NE BULLGARI

Një i afërm i çiftit të arrestuar ka folur ekskluzivisht për emisionin e “Njerëz të humbur” ose  "Dritë në tunel" siç quhet  në Greqi me gazetaren hetuese Angjeliki Nikoluli ku ka pohuar se Maria e vogël iu shit çiftit rom  kur ishte vetëm disa ditëshe nga nëna e saj biologjike, një grua bullgare që jetonte në fshatin Sofades në Greqinë Veriore .

PISTA E DYTE E PRINDERVE, ÇIFTI GREK

Një çift grek, i cili humbi fëmijën e tyre gjatë lindjes në vitin 2009, ka kërkuar që të bëhet testi i ADN-së së vajzës, pasi ata shpresojnë që Maria mund të jetë fëmija i tyre i humbur.
Mjekët në një spital të Selanikut u thanë atyre se foshnja iu vdiq në lindje, por kur ata kërkuan provat e vdekjes, arkivoli ishte bosh.

"Greek Reporter" pasqyron një video, ku pretendohet se vogëlushja me fytyrë të mbyluar është Maria, që nxitet të kërcejë nga gruaja rome

vazja e gjetur ne familjen rome ne greqi
vazja e gjetur ne familjen rome ne greqi
vazja e gjetur ne familjen rome ne greqi

GRUAJA ROME, TRE FËMIJË NË PESË MUAJ

Trafikimi ose rrrëmbimi i vogëlushes përforcohet nga fakti se gruaja rome 40 –vjeçare kishte dy kartat të ndryshme identiteti.

Në të njëjtën kohë ajo rezultonte e regjistruar në dy komuna, në atë të Larisës dhe në atë të Trikallës.

Në Larisa ajo figuronte si nënë e pesë vajzave dhe e një djali, kurse në Trikalla , si nënë e katër vajzave.

Është për t'u theksuar se në bazë të regjistrave familjarë të përmendur më lart, 40 –vjeçarja duket se në një periudhë prej vetëm pesë muajsh,  nga qershori deri në nëntor 1993, kishte lindur tre fëmijë, ndërsa për rreth 4 muaj,  nga tetori 1994 deri në shkurt të vitit 1995,  më shumë se tre fëmijë .

Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj 39 - vjeçar ka edhe një familje e tretë të regjistruar në komunën e Farsalës , ku ai është regjistruar si babai i katër fëmijëve.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)