Greqi Një 22-vjeçar është paraqitur në policinë greke dhe ka treguar emrin e vrasësit të pronarit të kampingut dhe punëtorit të tij shqiptar.

22-vjeçari u paraqit në polici vullnetarisht i shoqëruar nga avokati dhe tregoi se ishte bashkëpunëtori në atë krim.

Ndërkohë zbuloi edhe emrin e vrasësit. I riu po mbahet në paraburgim dhe po ekzaminohet nga autoritetet policore, megjithatë, nuk është lëshuar asnjë urdhër-arresti për të deri më tani.

Sipas informacioneve të deritanishme, i riu nuk ishte fillimisht në shënjestër të autoriteteve dhe nuk është i lidhur me pronarin 68-vjeçar të kampingut.

22-vjeçari, dyshohet të jetë pasagjeri në motorin e autorit të krimit, që shfaqet edhe në kamerat e sigurisë, dhe mbante veshur pantallona të shkurtra.

Sipas dëshmisë së tij, ata nuk kishin në plan të vrisnin pronarin grek të kampingut dhe punëtorin shqiptar, por shkuan t’i kërkonin para viktimës dhe, kur ai reagoi, situata u përshkallëzua dhe rezultoi në një vrasje të dyfishtë.

Por mesa duket, 22-vjeçari dhe viktima 68-vjeçar kanë patur njohje të mëparshme. Sipas avokatit të bashkëpunëtorit në krim, 22-vjeçari ka pretenduar se ishte abuzuar seksualisht kur ishte 18 vjeç, nga pronari grek i kampingut.

Gjatë marrjes në pyetje, sipas mediave greke, i riu dyshohet se pranoi të kishte kërcënuar viktimën dy herë në të kaluarën, por theksoi se natën e vrasjes nuk kishte për qëllim ekzekutimin e tij, por zhvatjen e parave.

Ai pretendoi se nuk e dinte që bashkëpunëtori i tij dhe autori, kishte armë, e as që do të kryente vrasje.

Vrasja ndodhi gjatë mbrëmjes së të dielës së kaluar, kur autori hyri me forcë në ambientin e pritjes së kampingut, ku ndodheshin pronari dhe punëtori shqiptar. Pasi qëlloi pronarin e kampingut për vdekje, ai më pas vrau mikun e tij, i cili kishte tentuar të arratisej.