Pasditen e të premtes policia greke ka njoftuar se ka bërët të mundur gjetjen e autorit të vrasjes së një shtetasi shqiptar, trupi i të cilit ishtë gjetur para dy ditësh në bregdetin e Athinës.

Një shtetas me origjinë irakiane është arrestuar në sheshin Omonia në Athinë dhe më pas ka pranuar akuzën se e kishte vrarë shqiptarin 47 vjeçar me një sëpatë.

Sipas të dhënave të autorit, gjithçka ka ndodhur për shkak të një zënke midis atyre të dyve.

Gjatë sherrit irakiani ka marrë sëpatën që ndodhej aty pranë dhe e ka goditur shumë herë në fytyrë dhe në trup, duke i shkaktuar atij vdekjen.

Shqiptari që njihej me emrin Jani, ishte i pastrehë dhe jetonte në një barrakë në kompleksin sportiv olimpik Agios Kosmas, të cilën e ndante bashkë me irakianin.

Ai e përballonte jetesën duke kapur peshk dhe duke e shitur atë në zonën përreth vendbanimit të tij.

Sipas informacioneve të banorëve të lagjes ai përjetonte një dramë familjare, i cili ishte baba i dy fëmijëve, por kishte mbetur pa pune dhe për këtë arsye ishte larguar nga shtëpia.

Të gjithë banorët e zonës nuk kanë kursyer të shprehen me fjalë të mira për të ndjerin.



Redaksia online
D.M/Shqiptarja.com