TIRANE- Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë greke të Drejtësisë, Jorgos Sulas, ka marrë pjesë në takimin përkujtimor të të rënë grekë në luftën italo-greke në Këlcyrë. Ai kërkoi ngritjen e 1400 varreve në territorin shqiptar. Kërkesë kjo, pa u shuar debati i Kosimës.
 
Greqia kërkon të ngrejë 1400 varre të ushtarëve grekë në Shqipëri
për të përkujtuar të rënët në luftën italo-greke. Kështu, në ditën e “Jo”-së greke, që njihet si dita që përkujton lëvizjen e armatosur së ushtrisë greke kundër Italisë fashiste në territorin shqiptar, Jorgos Sulas, sekretar i Komitetit të familjarëve të të rënëve të luftës italo-greke, pjesë e ministrisë së Drejtësisë ka kërkuar ngritjen e e këtyre varreve. Deklarata e Sulas është bërë në manastirin e Shën Nikollës në Këlcyrë, gjatë homazheve në nderim të të rënëve gjatë luftës italo-greke. Sipas tij ushtarët grekë kanë rënë në territorin e Shqipërisë dhe këtu duhet të ngrihen dhe varret e tyre. Sulas ka deklaruar se “në këtë mënyrë respektohen të rënët në luftë”.

Në këtë mënyrë, pas skandalit me varret e Kosinës rikthehet debati për varrezat greke në Shqipëri, ku është përfshirë një nga zyrtarët më të lartë të Ministrisë Greke të Drejtësisë. Sulas që nga Këlcyra e Përmetit ka bërë thirrje që autoritetet shqiptare t’u japin më tepër prioritet varreve greke në Shqipëri. “Do t’i lutesha dhe nga pozicioni që mbaj si Sekretar për të Drejtat e Njeriut, lidershipit ketu në vendin tonë mik të përshpejtojë procedurat për grumbullimin e eshtrave të të rënëve grekë dhe në veçanti të hapen varret e përbashkëta. E konsideroj ç’njerëzore të pa argumentuar në shekullin e XXI të kemi ende varre të përbashkëta dhe 400 të tjera në një distancë të vogël këtu në Grykën e Këlcyrës.

Mendojmë të vizitojmë së shpejti dhe qeverinë e re, kryeministrin e ri. Trashëgimtarët e të rënëve të parashtrojnë lutjen e tyre që t’u lejohet hapja e varreve dhe grumbullimi i eshtrave. Një varr i tillë i përbashkët është diku në Përmet me 1400 të rënë”, ka deklaruar Sulas, për mediat shqiptare brenda territorit shqiptar. Sekretari i Komitetit të familjareve të të Rënëve të luftës italo-greke pjesë e ministrisë së Drejtësisë në Greqi, ka deklaruar se, ngritja e varreve duhet të bëhet falë protokollit të bashkëpunimit mes dy qeverive, shqiptare dhe greke. Sulas ka nënvizuar se në lidhje me këtë çështje do të zhvillohet edhe një takim me Ramën. Ai ka qenë nënkryetar i parlamentit grek ndërsa aktualisht. Sulas ndodhej dje në Përmet gjatë festës së organizuar për nder të të rënëve grekë në luftën italo-greke.
 
Shkrimi u publikua sot (29.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)