GREQI - Ministri i Rendit Publik z. Nikos Dendias, deklaroi dje nga Igumenica, vënien në funksionim të një kampi refugjatësh në Kakavijë, i cili do të ngrihet në stacionin e vjetër të autobusëve. Ky kamp do të jetë gati nga fundi i verës së ardhshme. Kapaciteti i tij do të jetë për rreth 250 refugjatë.

Refugjatët, që do të strehojë ky kamp, do të jenë me kohë qëndrimi të shkurtër derisa të plotësohet dokumentacioni i nevojshëm për t'i riatdhesuar.

Gjithashtu, Ministri vuri në dukje marrjen e masave të mëtejshme për uljen e numrit të refugjatëve që kanë mbipopulluar zonën, sidomos Igumenicën, ku nëpërmjet portit të këtij qyteti, refugjatët, kryesisht nga Azia, shpresojnë largimin për në vendet e tjera të Europës.

 “Këto masa nuk kanë të bëjnë kurrsesi me racizëm, por me kthimin dhe ruajtjen e qetësisë së qytetarëve të kësaj zone”, - deklaroi më tej Ministri.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)