Sot përkujtohet 8 Dhjetori, Dita e Rinisë, që shënon 35 vjet nga protestat studentore të vitit 1990, lëvizja paqësore që i dha fund regjimit komunist dhe hapi rrugën drejt demokracisë. Kjo datë është shpallur festë kombëtare që prej vitit 2009, me vendim të Kuvendit, në nderim të studentëve të dhjetorit te vitit ‘90 dhe gjithë rinisë që u bë zëri kryesor i ndryshimit historik.
Presidenti Bajram Begaj ka kujtuar sakrificën dhe guximin e këtyre të rinjve. Në një postim në rrjete sociale, presidenti shprehet se çdo hap që ndjekim në rrugën evropiane nderon sakrificën e tyre.
“Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane. Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa.”, shkruan Begaj.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh dhe pedagogësh të Universiteteve të Tiranës ndërmorën hapin vendimtar, duke u bërë iniciatorë të protestave paqësore që çuan në përmbysjen e regjimit komunist. Të organizuar, ata marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, duke mbledhur radhëve të tyre gjithnjë e më shumë qytetarë. Brenda pak orësh, turma arriti rreth 1000 pjesëmarrës.
Me thirrjen simbolike “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, të rinjtë kërkuan pluralizëm politik, integrim europian dhe vendosjen e parimeve perëndimore të shtetit të së drejtës. Lëvizja Studentore e vitit 1990 mbetet e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi rrënjësisht historinë e vendit.
Protestat vazhduan deri më 11 dhjetor, kur në takimin me Ramiz Alinë u konfirmua zyrtarisht pluralizmi politik. Menjëherë pas këtij momenti, studentët filluan organizimet për themelimin e Partisë Demokratike, duke shënuar fillimin e epokës së re politike në Shqipëri.
Lëvizjet dhe protestat studentore vijuan edhe në muajt e parë të vitit 1991, duke kulmuar më 20 shkurt 1991, kur studentë, pedagogë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, duke rrëzuar përfundimisht simbolet e diktaturës.
Sot, 8 Dhjetori mbetet një ditë reflektimi për sakrificën, guximin dhe vendosmërinë e rinisë shqiptare, e cila me veprimet e saj paqësore ndryshoi përgjithmonë historinë e vendit.
Lajm ne perditesim...

Ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar për 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë. Teksa kujton Lëvizjen Studentore të vitit '90, ministrja shprehet se sot ecim më të sigurt drejt BE-së, ku të rinjtë duhet të jenë kontribuues për Shqipërinë demokratike me drejtësi dhe mundësi për të gjithë.
"8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë, simbolizon pasionin e vajzave e djemve shqiptarë, si faktor thelbësor ndryshimi, për ta kthyer Shqipërinë në familjen e saj natyrale. "E duam Shqipërinë si gjithë Europa" ishte esenca e vet historisë shqiptare, në kontradiktën më të thellë e të qenurit një nga bërthamat e vjetra të kontinentit europian, por njëkohësisht e ndarë gjatë e dhunshëm prej kësaj përkatësie. Sot ecim më shpejt e më të sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE, ku të rinjtë e Shqipërisë kërkohet më shumë se kurrë të jenë pjesëmarrës, këmbëngulës, kontribues për Shqipërinë demokratike, meritokratike, të hapur, konkurruese, inovative, me drejtësi e mundësi për të gjithë.", shkruan Spiropali.

Në 35-vjetorin e lëvizjes studentore të Dhjetorit ’90, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka kujtuar sakrificën dhe guximin e të rinjve që i hapën rrugën Shqipërisë drejt demokracisë dhe Europës. Në një postim në rrjetin social Facebook, Presidenti shkruan:
“Si sot, 35 vjet më parë, në rrugët e Tiranës ushtoi thirrja e studentëve idealistë: ‘E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!’. Guximi dhe lëvizja rinore e Dhjetorit ’90 i hapën rrugën Shqipërisë europiane. Çdo hap që hedhim në këtë rrugëtim nderon guximin rinor që rrëzoi perden e hekurt që e ndante Shqipërinë nga Evropa.”, shkruan Begaj.
Presidenti Begaj thekson se aspirata europiane e shqiptarëve është e pandarë nga idealet e lirisë dhe demokracisë së atyre ditëve.
Komente












Cdo hap e hedh per te grabitur rrogen e 8 dhe jo vetem. Pleh
Përgjigju