Greqia vijon të luftojë me disa zjarre të mëdha, ndërsa erërat e forta po favorizojnë përhapjen e flakëve dhe po e bëjnë të vështirë punën e zjarrfikësve. Situata më kritike mbetet në ishullin e Kretës, ndërsa vatra të reja janë regjistruar edhe në Greqinë qendrore dhe në rajonin e Peloponezit. Një tjetër zjarr, që shpërtheu në Peloponez, është vënë ndërkohë nën kontroll.

Në jug të Kretës, zjarri që ka nisur më 29 korrik vazhdon të djegë sipërfaqe të mëdha. Erërat, që në disa raste kanë arritur deri në 125 kilometra në orë, kanë penguar ndërhyrjen nga toka dhe ajri.

Sipas Observatorit Kombëtar të Athinës, bazuar në të dhënat satelitore të programit Copernicus Sentinel-2, deri tani janë djegur rreth 4.500 hektarë tokë. Flakët kanë shkatërruar banesa, biznese, ullishte, toka bujqësore dhe ferma blegtorale. Mbi 270 zjarrfikës janë angazhuar në operacionet për shuarjen e zjarrit.

Mijëra banorë dhe turistë janë evakuuar nga fshatra dhe zona turistike në jug të ishullit, ndërsa përgjatë bregdetit janë zhvilluar edhe operacione shpëtimi me mjete lundruese.

Bilanci është rënduar edhe mes forcave të ndërhyrjes. Dy zjarrfikës humbën jetën në Kretë pasi mbetën të bllokuar nga flakët, ndërsa një tjetër humbi jetën gjatë ndërhyrjes në një zjarr në rajonin e Peloponezit.

Paralelisht me operacionet për shuarjen e flakëve, autoritetet greke kanë nisur edhe hetimet për shkaqet e zjarrit në Kretë. Drejtoria e Hetimit të Zjarrvënieve ka arrestuar përgjegjësin lokal të operatorit të rrjetit elektrik DEDDIE, pasi dyshohet se erërat e forta bënë që linjat e tensionit të krijonin shkëndija, të cilat ndezën bimësinë e tharë. Ai akuzohet për shkaktim zjarri nga pakujdesia, ndërsa policia po kërkon edhe përgjegjësin e mirëmbajtjes së atij segmenti të rrjetit.

Ndërkohë, zjarre të reja kanë shpërthyer në Greqinë qendrore, ku flakët hynë në një fshat duke shkatërruar objekte bujqësore, makineri dhe ferma, ndërsa banorët u urdhëruan të largoheshin. Një tjetër vatër u regjistrua pranë Tebës, ku autoritetet e cilësuan situatën me rrezik të lartë.

Një zjarr tjetër ka shpërthyer edhe në rajonin e Peloponezit, pranë sitit arkeologjik të Mikenës, ku po digjen ullishte dhe sipërfaqe me bimësi. Për shkak të flakëve është mbyllur një segment i rrugës kombëtare dhe janë urdhëruar evakuime. Ndërkohë, zjarri që shpërtheu në orët e para të mëngjesit në një tjetër zonë të Peloponezit është vënë nën kontroll.

Autoritetet greke të Mbrojtjes Civile kanë mbajtur në fuqi nivelin 4 të rrezikut nga zjarret, që konsiderohet shumë i lartë, për Kretën, Atikën, pjesë të Peloponezit dhe Greqisë Qendrore, ndërsa forcat zjarrfikëse vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë.