Greqia merr drejtimin e misionit detar të BE-së në Detin e Kuq

Greqia merr drejtimin e misionit detar të BE-së në Detin e Kuq

Një fregatë greke duke u nisur nga Porti i Pireut

Greqia ra dakort zyrtarisht të hënën të marrë pjesë dhe të drejtojë misionin detar të Bashkimit Evropian në Detin e Kuq për të mbrojtur linjat e transportit detar nga sulmet e militantëve huthi në Jemen.

Një komitet sigurie i drejtuar nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis urdhëroi pjesëmarrjen e një fregate greke në operacionin e quajtur “Aspides”, sipas fjalës greke “mburojë”, operacion që u njoftua javën e kaluar.

Misioni do të drejtohet nga baza detare në Larisa, të Greqisë, nën komandën e admiralit grek Vasilios Griparis.

Greqia ka një segment të rëndësishëm të transportit detar tregtar dhe është prekur drejtpërsëdrejti nga sulmet e huthive. Në portin e Pireut, pranë Athinës, u njoftua një rënie me 12.7% në aktivitetet në terminale gjatë janarit.

“E kuptojmë të gjithë se pjesëmarrja në këtë operacion sjell rreziqe, rreziqe domethënëse”, tha të hënën ministri i mbrojtjes Nikos Dendias gjatë një vizite në fregatën “Hydra” në një bazë detare pranë Athinës.

Fregata u nis për në mision në orët e vona të së hënës.

“Greqia, si një fuqi detare me rol kryesor në transportin global, i kushton rëndësi të madhe nevojës për të ruajtur lirinë e lundrimit, si dhe jetën e grekëve që udhëtojnë në rrugë detare”, tha zoti Dendias.

Gjermania, Italia dhe Franca do të ofrojnë gjithashtu mjete detare për këtë mision, që do t’i bashkohen fregatës “Hydra”, ndërsa Italia do të marrë komandën taktike, thanë zyrtarët grekë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius vizitoi fregatën gjermane “Hessen”, që merr pjesë në misionin Aspides, ndërsa vizitonte Kretën javën e kaluar. Anija është zhvendosur tashmë drejt Detit të Kuq, thanë autoritetet gjermane.

Zyrtarët në Athinë e kanë përshkruar misionin Aspides si të natyrës mbrojtëse, duke shtuar se Greqia nuk do të marrë pjesë në sulmet e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ndaj objektivave ushtarake të rebelëve huthi në Jemen.

Rebelët huthi, që mbështeten nga Irani, thonë se sulmet e tyre ndaj anijeve tregtare me dronë dhe raketa janë në përgjigje të ofensivës së Izraelit ndaj Hamasit në Gazë që filloi në tetor.

Gjatë një seance dëgjimore në një komision parlamentar javën e kaluar, zoti Dendias tha se mbajtja hapur e linjave të tregtisë në det është një “domosdoshmëri ekzistenciale për Greqinë”.

“Nuk marrim qëndrim për çështjen huthi”, u tha zoti Dendias ligjvënësve.

“Por sfidojmë të drejtën e çdokujt që të hapë zjarr ndaj anijeve tona, ndaj anijeve evropiane dhe anijeve që lundrojnë në rajon dhe që vijnë në portet tona”./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë