Parlamenti i Greqisë ka miratuar ditën e sotme një ligj që ndalon përdorimin e platformave të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç. Sipas mediave greke masa do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027 dhe synon të mbrojë shëndetin dhe sigurinë e të miturve nga ndikimi i përdorimit të tepruar të rrjeteve sociale.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi se kompanitë e rrjeteve sociale kanë rreth dy muaj e gjysmë kohë për të zhvilluar një sistem verifikimi të moshës së përdoruesve, duke garantuar njëkohësisht mbrojtjen e privatësisë së tyre.

Greqia është një nga shtatë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që po kërkojnë, në bashkëpunim me Komisionin Evropian, një zgjidhje për verifikimin e moshës së përdoruesve në platformat online.

Qeveria greke argumenton se ndalimi synon t’u vijë në ndihmë prindërve për të kufizuar kohën e tepërt që fëmijët kalojnë para ekranit dhe fenomenin e lëvizjes së vazhdueshme në rrjetet sociale, i cili mund t’u cenojë gjumin, përqendrimin dhe kohën që kalojnë me miqtë.

Greqia nuk është vendi i vetëm që po ndërmerr masa të tilla. Australia u bë vendi i parë që miratoi një ligj për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale vitin e kaluar. Edhe Franca miratoi një ligj të ngjashëm, por Këshilli Kushtetues i vendit e rrëzoi atë në muajin gusht.