Greqia po ndryshon mënyrën se si do të zhvillohet turizmi në vitet e ardhshme. Pas një periudhe ku shumë ishuj dhe destinacione turistike janë përballur me ndërtime të shumta dhe fluks gjithnjë e më të madh vizitorësh, qeveria ka miratuar një plan të ri që vendos kufizime në zonat më të ngarkuara dhe krijon rregulla të reja për investimet.

Dokumenti u nënshkrua nga ministri i Mjedisit, Stavros Papastavrou, dhe ministrja e Turizmit, Olga Kefalogianni. Sipas qeverisë greke, ai zëvendëson kuadrin e vjetër, i cili nuk ishte përditësuar që prej vitit 2012, dhe synon të vendosë një ekuilibër mes zhvillimit të turizmit dhe mbrojtjes së natyrës.

Një nga ndryshimet kryesore është ndarja e gjithë territorit të Greqisë në pesë kategori, sipas nivelit të zhvillimit turistik, karakteristikave gjeografike dhe ndjeshmërisë mjedisore. Kjo do të thotë se jo të gjitha zonat do të trajtohen njësoj. Destinacionet që konsiderohen të mbingarkuara do t'i nënshtrohen rregullave më të forta, ndërsa zonat që kanë ende potencial zhvillimi do të kenë më shumë mundësi për investime.

Në ishujt dhe qytetet ku turizmi është rritur shumë vitet e fundit, ndërtimi i hoteleve të reja nuk do të jetë më aq i lehtë. Plani vendos kushte më të rrepta për projektet e reja, ndërsa nxit modernizimin e hoteleve ekzistuese dhe rikonstruksionin e tyre, në vend të zgjerimit të pakufizuar.

Qeveria synon gjithashtu t'u japë një jetë të re ndërtesave tradicionale dhe objekteve të mbrojtura, duke lejuar që ato të shndërrohen në struktura turistike. Në të njëjtën kohë, plani mbështet edhe zhvillimin e formave të specializuara të turizmit, në mënyrë që ekonomia të mos mbështetet vetëm te turizmi masiv i verës.

Rregulla të veçanta janë parashikuar edhe për ishujt. Ata ndahen në tre kategori sipas madhësisë dhe karakteristikave të tyre. Për ishujt më të vegjël do të ketë kufij për numrin e akomodimeve të reja, ndërsa në ishujt shumë të vegjël dhe në zonat bregdetare do të zbatohen kufizime shtesë për ndërtimet.

Ndryshime të rëndësishme prekin edhe zonat Natura 2000, që janë territore të mbrojtura për shkak të vlerave të tyre natyrore. Në këto zona do të lejohen vetëm forma të buta të turizmit, në përputhje me planet e menaxhimit dhe studimet mjedisore.

Një tjetër risi e planit është detyrimi që për projekte të caktuara turistike të hartohet një raport që vlerëson nëse zona mund të përballojë zhvillime të reja. Në këtë mënyrë autoritetet do të analizojnë ndikimin që mund të ketë një hotel apo investim i ri te mjedisi, infrastruktura, burimet ujore dhe komuniteti lokal, përpara se të japin miratimin.

Versioni përfundimtar i dokumentit përfshin edhe ndryshime të bëra pas konsultimeve me hotelierët, pushtetin vendor dhe përfaqësues të sektorit të turizmit. Sipas qeverisë, janë bërë përmirësime në kushtet e ndërtimit, në fleksibilitetin e zbatimit të rregullave dhe në skemat që nxisin investimet, pa ndryshuar filozofinë bazë të planit.

Megjithatë, plani nuk është pritur pozitivisht nga të gjithë. Presidenti i Federatës Greke të Hotelerisë, Janis Hacis, tha se kufizimet kryesore mbeten pothuajse të pandryshuara dhe se shqetësimet e sektorit nuk janë reflektuar plotësisht në tekstin përfundimtar.

Plani i ri vjen në një kohë kur Greqia po përpiqet të përballojë pasojat e turizmit masiv në disa nga destinacionet e saj më të njohura, duke kërkuar një model zhvillimi që mbron mjedisin dhe njëkohësisht ruan rëndësinë ekonomike të sektorit, i cili mbetet një nga shtyllat kryesore të ekonomisë greke.