Shqipëria dhe Greqia nënshkruan sot marrëveshjen për njohjen e patentave. Njohja e patentave të ndërsjella në dy vendet është arritja e parë konkrete deri tani nga bisedimet Shqipëri-Greqi. Marrëveshja parashikon që qytetarët shqiptarë që kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar deri në 1000 Euro, për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi.

Nga ana tjetër, grupi negociator vijon diskutimet përsa i takon zgjidhjes së kufirit detar çështja e cila ka hapur mjaft polemika. Ndërsa disa javë më parë u arrit marrëveshja për heqjen e vulës apustile. Një ditë më parë partia ekstremiste Agimi i Artë kërkoi që Athina të vendoste veton për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Kërkesa u dorëzua ditën e djeshme në Parlamentin grek nga përfaqësues të ekstremit grek.