Eno Mata, njeriu që i shpëtoi fatmirësisht një atentati në Poro të Vlorës, është lënë i lirë nga policia e këtij qyteti. Policia e Vlorës, e mbajti nën mbikqyrje Matën pas informacioneve se ai ishte në kërkim nga drejtësia greke për ngjarjen e vrasjes së avokatit të njohur grek, Mihalesi Zafeiropoulos. Por nga ana e drejtësisë Greke gjatë kësaj kohe nuk është sjellë në Shqipëri asnjë urdhër ndalimi për Eno Matën, dhe për pasojë ai është lënë i lirë.

Policia e Vlorës deri më tani po heton vetëm në një pistë për ngjarjen e rëndë që tronditi fshatin Poro, ku humbi jetën 22-vjeçari Sotiraq Mëhilli dhe u plagos rëndë 32-vjeçari Eno Mata. Sipas policisë shenjestra e këtij atentati ishte i plagosuri 32-vjeçar. Dyshohet se vrasja e mbetur në tentativë e Matës është porositur në shtetin fqinj, Greqi, ndërsa ekzekutorët janë nga qyteti i Vlorës. Deri në këto momente, policia e Vlorës nuk ka asnjë person të dyshuar dhe të arrestuar për këtë ngjarje të rëndë.