GREQI – Greqia “paralizohet” nga një grevë e re e përgjithshme 24 orëshe. Ashtu siç edhe kishin paralajmëruar, dy sindikatat kryesore të tregtisë, ajo e sektorit privat GSEE dhe ajo e sektorit publik ADEDY, prej mëngjesit të sotëm janë futur në grevë, e treta brenda muajit të fundit organizuar prej tyre.
 
Në grevë marrin pjesë mësues, mjekë, infermierë e farmacistë, gjykatës, punonjës të burgjeve, nëpunës të bankave dhe të sektorit të drejtësisë si dhe shërbimi urban. Spitalet shtetërore do të hapen vetëm në rast emergjence me personel sigurie. Kërkesa kryesore e tyre është ndaj qeverisë greke, për të anuluar planet për shkurtime të vendeve të punës, skemës të ashtuquajtur të mobilizimit në sektorin shtetëror, e cila thjeshton procedurat për largimin nga puna dhe politikave për përcaktimin e pagës minimale.
 
Probleme pritet të ketë sa i përket transportit urban, pasi nëpunësit e këtij sektori kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat edhe gjatë ditëve të Pashkës së Madhe më 20 prill. Greva është planifikuar në po të njëjtën ditë, ku parlamenti grek do të diskutojë legjislacionin për skemën e privatizimet e porteve të Selanikut dhe atij të Pireut.
 
Greva e përgjithshme e së mërkurës u parapri nga greva që mbajtën dje gazetarët dhe punonjësit e porteve. Gjatë së martës nuk u dha asnjë edicion informativ e si pasojë e grevës, sot shtypi grek nuk ka publikuar asnjë gazetë.  Sektori i medias kërkon kontrata kolektive si dhe t’i jepet fund vonesave të dhënies së rrogës.

Ndërkohë privatizimi i dy porteve kryesore greke, atij të Selanikut dhe të Pireut, të cilët janë pjesë e kushteve të vendosura nga kreditorët ndërkombëtarë ka ngjallur zemërimin e punonjësve, duke futur në grevë dhe punëtorët e porteve në Greqi.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)