Greqia po avancon një plan të ri për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar në qendra riatdhesimi jashtë Bashkimit Europian, kryesisht në vende afrikane që do të pranonin t’i strehonin ata.
Ministri grek i Emigracionit, Thanos Plevris, tha të mërkurën se këto qendra do të shërbenin për personat që u refuzohet azili dhe që nuk mund të kthehen menjëherë në vendet e origjinës. Sipas tij, edhe ideja që një emigrant mund të përfundojë në një vend jo-anëtar të BE-së do të vepronte si pengesë për ata që mendojnë të nisen drejt Europës.
Plani po diskutohet edhe me vende të tjera si Gjermania, Austria, Danimarka dhe Holanda. Në janar, Berlini njoftoi se është arritur një dakordësi paraprake për të hartuar modele të reja kthimi që përfshijnë shtete jashtë BE-së.
Në të njëjtën kohë, në nivel europian po punohet për bazën ligjore që do ta bënte të mundur ngritjen e këtyre qendrave.
Sipas autoriteteve greke, aktualisht Greqia kthen mes 5 mijë dhe 7 mijë migrantë në vit, ndërkohë që mbi 40 mijë persona mbërrijnë çdo vit në territorin e saj.
Komente











