Greqia veto për integrimin e Shqipërisë? Meta: Pakti për detin kur të ngrihet Kushtetuesja

Presidenti Ilir Meta i ftuar në Report Tv mbrëmjen e sotme ka folur edhe për kufirin detar me Greqinë. Ai tha se marrëveshja mes dy palëve duhet të kalojë në parlament në momentin që të ngrihet Gjykata Kushtetuese. Por a rrezikon Shqipëria një veto nga Greqia për integrimin? Meta thotë se ‘një dështim i marrëveshjes, në çdo lloj faze, nuk do të ishte pozitiv, do të ishte një kthim pas në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por nuk do të ishte një hap para as në forcimin e marrëdhënieve tona me Greqinë’.

Pjesa e intervistës në Report Tv kur flet për paktin me Greqinë

Kthehemi tek ajo çështja e Marrëveshjes së Detit, ku si nga Athina, por edhe ministri ynë i Jashtëm, kanë lënë të kuptohet që atë e keni bllokuar ju. Ju jeni shprehur që duhet ndërkohë që të kemi edhe një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Përse duhet Gjykata Kushtetuese për ta certifikuar këtë marrëveshje?
Sikurse ju jeni në dijeni edhe i gjithë opinioni publik për këtë marrëveshje me Greqinë, por jo vetëm për këtë marrëveshje, për çdo marrëveshje të ngjashme, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka miratuar një vendim të veçantë, i cili në fakt është një punim shkencor, nuk është thjesht një vendim i thjeshtë, i cili ngarkon me përgjegjësi çdo institucion të vendit, në kuadrin e përgjegjësive të përbashkëta për një çështje të tillë, e cila është çështje madhore sepse ka të bëjë me kufijtë, ka të bëjë me sovranitetin, me integritetin e kështu me radhë. Por natyrisht që është shumë e rëndësishme sepse ka të bëjë me zgjidhjen e një çështjeje me një fqinj të rëndësishëm sikurse është Greqia. Në këtë drejtim, unë mund t’ju them se kam përmbushur në mënyrën jo vetëm më kushtetuese, por edhe më konstruktive, edhe institucionale, edhe shoqërore, edhe njerëzore, të gjitha detyrimet e mia, në mënyrë që kjo marrëveshje të realizohej në përputhje me Kushtetutën, me interesin tonë, por edhe me interesin e përbashkët sepse kuptohet është marrëveshje e të dyja palëve, nuk mund të jetë një marrëveshje e njëanshme dhe për këtë qëllim kam bërë të gjitha veprimet e duhura institucionale edhe informale për të dhënë një kontribut të tillë dhe mbetem ende në këto pozita. Sikurse e kam thënë edhe më përpara, prej kohësh i kam konfirmuar edhe ministrit të Jashtëm, edhe kryeministrit, që në çdo kohë që kryeministri mendon dhe është i bindur që kjo është një marrëveshje plotësisht e drejtë, e realizueshme, në përputhje me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të marrë përkrahjen apo autorizimin për verifikimin dhe konkludimin e një marrëveshjeje të tillë, por natyrisht që unë e kam theksuar që është shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme, për hir të ndjeshmërisë së kësaj çështjeje dhe të vetë arsyeve për të cilat kjo marrëveshje nuk u ratifikua nga Parlamenti i kaluar, që në momentin e miratimit në Parlament të kemi funksionale Gjykatën Kushtetuese, përndryshe çdo situatë tjetër nuk mendoj se do të kontribuonte në atë qëllim që ka kjo marrëveshje, pra dhe të zgjidhim këtë çështje njëherë e mirë, por edhe të forcojmë raportet e miqësisë dhe të partneritetit me Greqinë si një vend mik.

A jeni njohur me detajet e marrëveshjes së re që po hartohet?
Unë kam bërë të gjitha ............... e mia institucionale për të lehtësuar sa më shumë punën e ekipit negociator, kur në një moment të caktuar kur nga pala tjetër ka pasur një qëndrim që ka pasur një autorizim politik apo një miratim politik, atëherë unë kam menduar dhe kam vlerësuar se një qëndrimi politik apo një vullneti politik i duhet përgjigjur, kuptohet me një qëndrim më politik, të cilin mund ta ndërmarrë vetëm kryeministri si kryetar i qeverisë dhe që i ka të gjitha instrumentet për të bërë një vlerësim të gjithanshëm të marrëveshjes së mundshme, në të gjitha aspektet, dhe së dyti, duke qenë edhe lideri i mazhorancës, pasi kuptohet që një marrëveshje e tillë duhet që të kalojë në Parlament dhe kuptohet që kryeministri duhet të jetë garant i kalimit të kësaj marrëveshjeje në Parlament.

Në optikën tuaj, kjo marrëveshje që duket se është e përfunduar dhe tani pritet vetëm të formalizohet, është më e mirë se sa ajo që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese? Më e keqe, siç thotë opozita? Apo është e njëjta, por e riformuluar ndryshe? Ekspertët që ju keni caktuar, çfarë ju thonë?
Nuk mund të shpreh asnjë opinion të caktuar sepse nuk mund të bëj as ekspertin, as gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese. Besoj se isha mjaft i qartë. Përgjegjësia ime si President është, në të gjithë këtë proces, t’i shërbej sa më shumë ecjes në frymën e në rrugën që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese, dhe së dyti, të kërkoj të gjitha garancitë kushtetuese të jenë funksionale në momentin kur kjo marrëveshje do të kalojë në Parlament dhe në momentin kur kushdo mund të ketë një shqetësim apo një dyshim për përputhshmërinë e saj me Kushtetutën dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk mund të bëhem pjesë e debateve të njëanshme apo ndërluftuese.

Kjo marrëveshje rrezikon të kthehet, si çështja e ndryshimit të emrit të Maqedonisë, pra në një kazus që Greqia të vendosë veton pë anëtarësimin tonë në Bashkimin Evropian?
 Të gjitha përpjekjet e mia kanë synuar në realizimin e një marrëveshjeje, meqenëse qeveria ka pasur vullnetin dhe e ka shprehur vullnetin për ta realizuar këtë marrëveshje sepse një rrugë tjetër që e ka sugjeruar prej kohësh opozita ka qenë vajtja në Gjykatën Ndërkombëtare me mirëkuptimin e të dyja palëve, dhe në këtë rrugë unë kam bërë të gjitha përpjekjet e mia që të mos kemi thjesht firmosjen e një marrëveshjeje, por të kemi një proces që garanton dhe konkludimin e kësaj marrëveshjeje sepse një dështim tjetër i marrëveshjes, në çdo lloj faze, nuk do të ishte pozitiv, do të ishte një kthim pas në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por nuk do të ishte një hap para as në forcimin e marrëdhënieve tona me Greqinë.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli