TIRANE - Ish të burgosurit politikë kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme grevën e urisë, duke shënuar kështu ditën e tretë të saj. Greva nisi më parë nga se ishte komunikuar zyrtarisht nga kjo shoqatë (më 25 shtator) dhe për këtë arsye sot ish të burgosurit politikë ishin të ndarë në dy kampe.

6 prej tyre gjenden në qiell të hapur në grevë urie prej 3 ditësh te Komuna e Parisit në Tiranë, ndërsa kampi i dytë ishte i vendosur sot në ambientet para Shoqatës së ish të përndjekurve politikë, përballë godinës së Parlamentit. Përfaqësues të kësaj shoqate, sëbashku me kryetarin Skënder Tufa me pankarta në duar paralajmëruan pjesëmarrjen e tyre në grevë urie më 25 shtator, duke iu bashkuar kështu pjesëtarëve të tjerë.

“O Sali diktatori na vrave përsëri. Duam të drejtat tona. Mjaft na persekutuat” ishin thirrjet që kjo shtresë e shoqërisë drejton ndaj qeverisë shqiptare. Ata shprehen të vendosur në kërkimin e të drejtave dhe plotësimin e tyre nga kryeministri Sali Berisha.

Kreu i shoqatës të ish të përndjekurve politikë, Skënder Tufa, shprehet: “Greva e urisë e shoqatës së të burgosurve politike të Shqipërisë fillon më 25 shtator ditën e martë në oborrin e shoqatës dhe ka për qëllim të dëshmojë gjendjen aktuale të të burgosurve politikë dhe pas 21 vjetësh që janë shpallur të pafajshëm nga greva e parë e urisë shtator 1991. Njëkohësisht të vërë në pah mashtrimet abuzuese e denigruese që ka bërë politika me ta gjatë kësaj periudhe.”

Por nga ana tjetër grupi tjetër i të burgosurve tashmë në ditën e 3-të të grevës së urisë kanë zbardhur edhe mëngjesin e kësaj të hëne nën qiell të hapur. Para mikrofonit të A1 Report ata shprehen se janë në vështirësi, duke marrë parasysh faktin që janë në ambient të hapur dhe kanë pirë vetëm ujë. “Ne jemi grumbulluar këtu të na japin atë borxh që na takon. Kërkojmë që Kryeministri t’i bëjë thirrje ndërgjegjes së vet, të mbledhë Parlamentin, të ligjërojë ligjin e të hedhë lekët tona nëpër banka”, shprehet një ish i burgosur politikë. Edhe ata janë të vendosur t’i shkojnë deri në fund kësaj greve deri në dëmshpërblimin e viteve të dënimit.

Por nga ana tjetër, ata shprehen gjithashtu se në zgjedhjet e ardhshme vota e tyre nuk do të shkojë për Sali Berishën, pasi sipas tyre kryeministri është mbajtur me votat e ish të përndjekurve, që tashme premtojnë se nuk do t’i ketë më. “Mos të harrojë Sala se do bëhen zgjedhje e më vota nga ne nuk merr, se me ne është mbajtur. Ne na ka lënë në katër anët e rrugëve”.

JA CILAT JANE KERKESAT E ISH TE BURGOSURVE POLITIKE

Borxhin që ka qeveria për sakrificën e bërë
Integrimin e kësaj shtrese
Të plotësohen kërkesat e mohuara
Dëmshpërblimin e viteve të burgut në vlera monetare

Redaksia Online

(Gre.M/Shqiptarja.com)