Naftëtarët e "Bankers" në Marinzë janë futur në ditën e 12-të të grevës së urisë. Gjendja shëndetësore e dy prej tyre, Dorjan Dylmishi dhe Dritan Rrapushi, është përkeqësuar. Ekipi shëndetësor kreu kontrollet mjekësore për dy grevistët te zyrat e Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur, por Dorjan Dylmishi është transportuar drejt Spitalit Rajonal Fier përkatëse ndihmë më të specializuar.

Ndërkohë, kreu i Sindikatës, Dritan Shahu në ditën e 12-të të grevës së urisë pa afat të naftëtarëve të 'Bankers' në Marinzë, iu ka bërë thirrje institucioneve që të reagojnë sa nuk është vonë.

'U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore të reagojnë sa nuk është vonë. Ndërsa gjendja shëndetësore e grevistëve përkeqësohet nga dita në ditë, ne jemi edhe më të vendosur në kauzën tonë’- ka thënë Shahu ndërsa ka paralajmëruar një tjetër tubim para zyrave të kompanisë ditën e nesërme.

Ndërsa grevisti Dritan Rrapushi i bëri thirrje punonjësve që vazhdojnë punën që të ndërgjegjesohen me grevën e tyre.

‘Ndërkohë ne do u bëjmë thirrje ndërgjegjësuese edhe punonjësve që nuk i rezistojnë dot presionit psikologjik të kompanisë dhe vazhdojnë me sforco punën në vendburim’ ka thënë grevisti Dritan Rrapushi.

Pavarësisht se për situatën e krijuar janë vënë në dijeni zyrtarisht të gjitha institucionet përgjegjëse, ende asnjë dritë jeshile nuk duket në horizont për zgjidhjen e kërkesave të punonjësve.