TIRANE - Në Tiranën moderne të vitit 2012, shumë pranë kompleksit të pallateve dhe vilave të disa prej zyrtarëve më të lartë të shtetit, 20 qytetarë janë në ditën e 12 të grevës së urisë. Në Shqipërinë postkomuniste grevat nuk janë më headline në media e politikë, por në dhjetëra grevat e zhvilluara kjo e fundit bart një simbolikë të veçantë. Janë 20 jetë njerëzore, të cilët së bashku kanë bërë 600 vjet burgim politik gjatë sistemit komunist. E provuan
së bashku ose të ndarë në grupe protestën përmes sakrificës më 1991, 1993, 1995, 1998, 2002, 2004, 2008 dhe tani përsëri më 2012. Vitet kanë kaluar dhe pothuajse asgjë nuk ka ndryshua në jetën e tyre dhe raportin e të drejtës së tyre me shoqërinë dhe shtetin. Të etiketuar si ish të përndjekur politikë sot ata janë dëshmi e gjallë se edhe pas dy dekadash vijojnë të jenë të përndjekur. Shumica e tyre kanë kaluar rininë në burgun famëkeq të Qafë Barit, të gjithë kanë qenë votues të rregullt të forcave të djathta politike dhe sot, pas 22 vitesh eksperimente, premtime të pambajtura dhe zhgënjime, janë përsëri aty ku ishin më tetë herë në dy dekada, - në grevën e jetës, për të drejtat e mohuara që ua njeh dhe garanton kushtetuta dhe ligji. Ata nuk duan rrëzim qeverie dhe as dorëheqje zyrtarësh, nuk duan muze dhe as nisma që tronditin sistemin qeverisës: ata duan diçka që u përket, u është mohuar dhe për të cilën çdo qeveri u është borxh: detyrimet shtetërore që u njeh ligji. Ata nuk duan që në krizën tone ekonomike të përfitojnë milionat e borxhit dhe të bëhen milionerë; ata duan minimalen, respektin dhe shansin për mbijetesë.
Qeveritë shqiptarë postkomuniste kanë kompensuar 100% për burgosjen e tyre dy prej krerëve më të lartë të regjimit komunist në ditët e fundit të tij: Fatos Nanon dhe Ramiz Alinë, por ato ende nuk kanë arritur ta bëjnë këtë për të burgosurit e vërtetë politikë, simbolet e rezistencës dhe krenarinë tonë gjatë regjimit komunist. Gjatë 20 viteve janë nxjerrë katër ligje dhe disa dhjetëra vendime qeverie, janë ndryshuar rregulla, procedura dhe kritere, janë hartuar programe elektorale me premtime dhe janë bërë kontrata politike mbështetjeje në shkëmbim të votës, por fundi tregon se asnjë masë, qëndrim apo nismë e tillë administrative apo elektorale nuk ka realizuar konkretisht detyrimin kushtetues e ligjor të shtetit për njohjen, vlerësimin dhe kompensimin financiar të shtresës së ish përndjekurve/burgosurve politikë. Ata nuk kanë pritur dhe as janë zhgënjyer nga qeveritë e majta, të cilat, për arsye ideologjike, shpesh e kanë trajtuar këtë shtresë si bezdi, barrë dhe kontingjent electoral të palës tjetër. Paradoksi është se ata kanë pritur dhe shpresuar shumë se pala tjetër, e djathta, do ta korrigjonte padrejtësinë ligjore e morale për ti dhënë jetë premtimit të dhënë më 1991 për integrim, kompensim e nderim real të kësaj shtrese. Në 22 vite tranzicion ka qeverisur 11 vjet e djathta dhe 9 vjet e majta, e megjithatë për ish të burgosurit asnjë ndryshim qeverie nuk solli ndryshim të sjelljes arrogante, spekulative dhe mosmirënjohëse të klasës politike ndaj kësaj shtrese. Përkundrazi. Politika “e djathtë” dhe e “majtë” në konsensus të pashpallur ia arriti fillimisht të delegjitimojë ish të përndjekurit, duke I përçarë ata në dhjetëra shoqata, grupime e klane rivale, duke I lënë kështu pa zë përfaqësues institucional. Nëse më 1991 pritej që regjimi do të vononte lirimin e të burgosurve politikë, siç edhe ndodhi, deri pas zgjedhjeve të marsit, në mënyrë që ata të mos kenë përfaqësim parlamentar, i njëjti paradoks u përsërit në formë konsensuale edhe në vitet vijuese, sidomos në parlamentin aktual. Asnjë nga 140 deputetët e parlamentit, 14 ministrat dhe 38 zv/ministrat aktualë, 23 këshilltarët e kryeministrit apo 63 kryetarët e bashkive në vend nuk ka qenë direkt ish i burgosur apo I dënuar politik. Përkundrazi. Në parlament, sidomos në radhët e opozitës, mund të gjenden disa hetues të periudhës komuniste, ashtu siç edhe në grupin parlamentar të PD mund të gjenden 12 deputetë që vijnë nga familje të njohura për rolin aktiv persekutor në piramidën e lartë të sigurimit të shtetit, të PPSH, të propagandës komuniste apo të degëve të punëve të brendshme. Në qeveri nuk ka asnjë të përndjekur, kurse pesë nga 14 ministrat kanë qenë të paktën anëtarë aktiv të PPSH apo drejtues të lartë të organizatave leva të saj. Imagjinoni paradoksin: kryeministri aktual ka në karrierë 22 vite kontribut aktiv në PPSH, kurse në grevë, tek Komuna e Parisit, ndodhen Petrit Horjeti e Shpëtim Karamuca, secili me nga 26 vjet burgim politik. I pati jeton luksin e Shqipërisë virtuale, kurse të dytët jetojnë në varfëri ekstreme, pa pension dhe të pastrehë!!! Në politikën shqiptare nuk ka
rregulla, ka vetëm interesa elektoralë. Kjo është përgjigja për atë që po ndodh edhe në Komunën e Parisit. Qeveria i refuzon, parlamenti I refuzon, PD i refuzon, PR, PLL, PDK, PAD, LSI, PDIU etj që të shurdhojnë në fushata me premtime antikomuniste e respekt për ish të përndjekurit,
gjithashtu i refuzojnë. Sepse grevistët kanë thënë atë që në Shqipëri ndalohet të thuhet: se nuk do ta votojnë më këtë qeveri. Kaq mjafton që shteti, parlamenti e qeveria, të merren pafundësisht me orën e Saimirit apo rolin e Imamit, dhe në unison të refuzojnë çdo fjalë, veprim apo shenjë humanizmi, përgjegjshmërie, solidariteti apo respekti për ato jetë njerëzish që përfaqësojnë gjithçka që sistemit aktual politik i mungon: morali, vlera, kurajë dhe qytetaria.

Greva nxjerr zbuluar të gjithë lumin e fjalimeve patetike dhe premtimeve të pambajtura, mentalitetin dominues ende komunist, si dhe për këtë arsye pafuqinë për tu ndarë me dinjitet nga e kaluara. Për të takuar të përndjekurit ishin diplomatët e BE dhe SHBA, disa dhjetëra përfaqësues politikë e civilë, kurse për regjimin në fuqi, ata nuk ekzistojnë, janë bezdi, janë kërcënim, janë e kaluara që duhet harruar dhe ndëshkuar. Qeveria ka në krye një kardiolog që e quan krenari karrierën në shërbim edhe të Enverit, por që si mjek refuzon çdo çast betimin e Hipokratit dhe detyrimin human e kushtetues që qeveria e tij të dërgojë mjekë pranë grevistëve të urisë. Kryetari i Bashkisë premton qytet për qytetarët, por kur disa prej qytetarëve më fisnikë të qytetit hyjnë në grevë urie ai i refuzon, mbyll veshët, sytë dhe sillet si një turist në një vend ku banorët flasin gjuhë tjetër. Unë e di se ata sillen kështu për shkak të votës së deklaruar (kundër) apo për shkak të frikës ndaj tyre (incidentet para parlamentit), por gjithashtu e di se në politikë vizioni më jetëshkurtër është ai që humb ndjesinë qytetare, sensing e përgjegjësisë, refleksin politik, moralitetin dhe identitetin politik. Ata duhet të shkojnë dhe me siguri, dialogu institucional, ndjesa publike dhe akti ekzekutiv në zbatim të ligjit, do të ofronte zgjidhje të pranueshme dhe afatgjatë. Kjo nuk po ndodh sepse në një vend në krizë morali, identiteti politik dhe përfaqësimi qytetar zgjidhja dhe arsyeja nuk pritet të vijnë nga ata që janë shkaktar të krizës dhe humbjes së arsyes. Qeveria harxhon ditë, javë e muaj të tërë të merret me mbajtjen e premtimeve ndaj klientit serbo-boshnjak që po privatizon asetet tona publike e kombëtare, bashkia harxhon gjithashtu kohë e energji të merret me kazinotë dhe pazaret e tyre, dhe të dyja, nuk gjejnë arsye dhe as kohë të takojnë e flasin me 20 jetët 600 vjeçare, të cilët, me aktin e tyre ekstrem, janë aty jo vetëm për të thënë se në këtë vend ende ka njerëz me kurajë dhe dinjitet, por edhe për ta thënë ne të gjithëve, se një shoqëri e ngritur mbi mosmirënjohjen është e kalbët, antivlerë, e pasiguritë për të sotmen dhe e rrezikshme për të ardhmen. Nuk ka rëndësi nëse greva ka sukses formal, sesi mbyllet dhe sesi bëhen bilancet politike. Me rëndësi është fakti se greva ia arriti të nxjerrë në pah kontrastin e thellë midis demokracisë së premtuar dhe sjellje parademokratike; diferencën e thellë midis interesit qytetar dhe interesit të pushtetit; midis kurajës civile dhe arrogancës së pushtetit; midis vizionit të atyre që zgjidhjen e gjejnë tek dialogu e ligji dhe atyre që zgjidhjen e gjejnë tek forca, dhuna verbale dhe braktisja e interesit publik; midis politikanëve që sundojnë dhe politikave që përfaqësojnë; midis Shqipërisë reale dhe imazhit virtual që përpiqet të injektojë një klasë politike e diskretituar, pa forcë ndryshimi, pa autoritet moral dhe pa kredenciale publike.

(Shkrimi u botua ne numrin e sotem te se perdtishmes SHQIPTARJA.com)

(Gre.M/Shqiptarja.com)