TIRANE - Shënon sot plot një muaj greva e urisë së ish të burgosurve politik, të cilët prej 30 ditësh janë stacionuar në disa çadra në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë, në shenjë proteste ndaj qeverisë, e cila sipas tyre nuk i ka dëmshpërblyer për vitet e burgut në kohën e regjimit komunist ashtu siç parashikon ligji.

Gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme koordinatori i grevës së urisë Skënder Tufa tha se policia nxori nga çadrat e urisë lëngjet dhe sheqerin. Avokati i Popullit, Igli Totozani e komentoi këtë akt si një vepër penale. Ndërkohë Policia e Tiranës reagoi sot duke thënë se ky veprim nuk është i vërtetë. Tufa në kundërpërgjigje të kësaj deklarate duke theksuar se lëngjet janë hequr nga çadrat i bëri thirrje policisë t’i rikthejë dhe të mos akuzojë Avokatin e Popullit, që sipas tij ka qenë në mbrojte të tyre në mënyrë ligjore.

Në ditën e 30 të saj greva e urisë, tashmë udhëhiqet vetëm nga një koordinator, Skënder Tufa, i cili njëherësh është edhe kreu i shoqatës së ish të përndjekurve politik. Bashkëkoordinatori Asllan Patrioti është shkëputur nga ky post, pasi dje mori nga Gjykata e Tiranës, masën e sigurisë arrest me burg i akuzuar për mashtrim. Në çadrat e urisë aktualisht gjenden vetëm 6 grevist, pasi rreth orëve të mbrëmjes, njëri prej tyre, Agim Kollçaku u dërgua në spital për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Ish i përndjekuri politik, Kollçaku ka tentuar gjatë orëve të mëngjesit të sotëm, që t’i ribashkohet grevës së urisë, por nuk është lejuar nga forcat e policisë të cilat prej ditësh kanë vendosur kordonin për të penguar edhe takimet me persona të jashtëm. Ky veprim ka ndodhur edhe më parë nga ana e forcave të policisë, por vjen i përforcuar në këto ditë, pasi Gjykata e Tiranës nëpërmjet një vendimi e shpalli grevën e urisë të jashtëligjshme duke urdhëruar kështu shpërbërjen e grevës. Pas këtij vendimi ish të përndjekurit ndihen të kërcënuar, pasi nga momenti në moment, siç ata shprehen, policia mund t’i nxjerrë me dhunë. Ata kanë paralajmëruar se do të hedhin shortin e vdekjes, ndërkohë që koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa, ka paralajmëruar prej ditësh, krijimin e një vatre të re të grevës së urisë, pranë ambasadave, pasi kërkojnë të jenë të mbrojtur nga ndërkombëtarët.

TUFA: POLICIA TE KTHEJE LENGJET NE CADRA, S’JEMI GREVE ETJEJE
Ora 17: 30 Kreu i shoqatës së ish të burgosurve politik, Skënder Tufa iu përgjigj deklaratës së policisë, e cila tha sot se nuk është e vërtetë që ish të burgosurve politik u janë hequr lëngjet e sheqeri nga çadrat e grevës. Tufa tha pasditen e sotme në një deklaratë për mediat nga çadrat e grevistëve, se lëngjet janë nxjerrë prej policisë dhe duhet të kthehen pasi ish të burgosurit politik janë në grevë urie dhe jo në grevë etjeje. “Në grevën e urisë askush nuk fut ushqime, dhe ju do bënit mirë t;i lenit lëngjet, ne flasim si qytetar nuk bëjmë fyerje. Zotëria i policisë ti lejojë të futen brenda, sepse kemi grevë urie jo greve etje”, tha Tufa duke iu referuar deklaratës për shtyp policisë së Qarkut Tiranë nga Arben Nasufi. Ky i fundit gjatë deklaratës akuzoi edhe Avokatin e Popullit, Igli Totozani se po manipulohet. Tufa tha në lidhje me këtë fakt se "Avokati i Popullit ka qenë në mbrojtjen tonë brenda normave ligjore. Lëngjet janë nxjerrë jashtë.” Tufa foli gjithashtu për gjendje shëndetësore të rënduar të grevistëve, “fakt që mund ta vërtetojë edhe raporti mjekësor"

POLICIA: AV.POPULLIT GENJEN,S'I KEMI NXJERRE LENGJET NGA CADRA, MOS TE MANIPULOHET

Policia e Tiranës, reagoi sot nëpërmjet një deklarate për shtyp, në lidhje me akuzat e Avokatit të Popullit për largimin e lëngjeve dhe sheqerit mbrëmjen e djeshme nga çadrat e ish të burgosurve politik. Sipas drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, ky fakt nuk është aspak i vërtetë, duke shtuar se janë “marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe parandalimit të çdo incidenti të padëshiruar, në vendin ku zhvillohet greva”. “Drejtoria e Policisë se Qarkut Tiranë shpreh keqardhjen për deklaratat e pavërteta të Avokatit të Popullit. Grevistëve të urisë nuk u janë ndërprerë nga ana jonë as ilaçet, as mjekimet apo ndërhyrja mjekësore. Pranë ambienteve të grevës është atashuar gjithë kohën një autoambulancë e pajisur me staf mjekësor me të gjithë medikamentet e nevojshme”, lexohet në deklaratën për shtyp.  Sipas policisë Avokati i Popullit, Igli Totozani duhet të ruajë integritetin e ti dhe të mos bjerë pre e manipuluesve. “I bëjmë apel Institucionit të Avokatit të Popullit, si një institucion i pavarur në kuptim të kushtetutës, të respektojë integritetin e tij dhe të mos bjerë pre e manipuluesve të kësaj greve të paligjshme dhe të kërkojë ndjesë publike për akuzat e rënda dhe të pavërteta të ushtrimit të torturës apo keq-trajtimit të grevistëve nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Avokatit të Popullit, të heqë dorë nga roli i furnitorit me ushqime të individëve që kanë hyrë në një grevë, të pretenduar si grevë urie.”, thuhet në deklaratën e policisë së Qarkut Tiranë në lidhje me akuzat e Avokatit të Popullit se policia ka kryer vepër penale duke larguar sheqerin e lëngjet nga çadrat e grevës së urisë.

AGIM KOLLCAKU: DO DIGJEM TE PARLAMENTI, MINISTRI TAVO ME MASHTROI, SME LENE T’I RIKTHEM GREVES
Ora 08:30 Grevisti Agim Kollçaku ka tentuar gjatë orëve të mëngjesit të sotëm që t’i ribashkohet grevës së urisë, por dëshira e tij është ndalur nga forcat e policisë të cilat nuk e kanë lejuar të futet në çadra. Kollçaku u largua mbrëmjen e djeshme nga greva për shkak se gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua. Nëpërmjet një interviste për Tv A1 Report ai tregon se para se të largohej nga çadra drejt spitalit ai bëri një marrëveshje me ministrin e Shëndetësisë, Vangjel Tavo, sipas së cilës Kollçaku pasi të merrte kurim do të lejohej të kthehej në grevën e urisë. Ai shprehet se ministri Tavo e mashtroi dhe nuk mbajti fjalën e dhënë. Kollçaku ka paralajmëruar se do të digjet para Parlamentit.

(Gre.M/Shqiptarja.com)