Gripi, Beqaj: Vijon vaksinimi
gatishmëri të plotë për situatën

Gripi, Beqaj: Vijon vaksinimi<br />gatishmëri të plotë për situatën
Shërbimi i Kujdesit Parësor, në të gjitha qytetet kryesore të vendit, është në shërbim të pacientëve edhe gjatë fundjavës për t’i përgjigjur situatës epidemike të gripit. Qendrat Shëndetësore, si dhe i gjithë personeli, janë në gatishmëri të plotë ndërsa prej tre ditësh ka nisur në të gjitha Qendrat procesi i vaksinimit me vaksinën kundër gripit.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ishte sot (8/1/2017) në disa prej Qendrave Shëndetësore në Tiranë, Elbasan dhe Durrës, ku u njoh nga afër me situatën.

“Ne vazhdojmë të përgjigjemi situatës epidemike të gripit por edhe situatës të një dimri goxha të ftohtë në të gjithë vendin. Sot është e dielë megjithatë i gjithë Kujdesi Shëndetësor Parësor në qytetet kryesore të vendit është në shërbim të vizitave për të qenë më pranë qytetarëve por dhe për të ulur sado pak ngarkesën shumë të madhe që ka në spitalet tona. Prej disa ditësh kemi filluar edhe me shpërndarjen e vaksinës së gripit”, u shpreh ndër të tjerash Ministri Beqaj. Në një prej Qendrave  Shëndetësore të Elbasanit, vetëm gjatë dy ditëve të fundit janë realizuar më shumë se 50 vaksina antigrip.

Kreu i Shëndetësisë solli edhe një herë në vëmendje, se në të gjitha Qendrat Shëndetësisë të cilat bllokohen prej motit të ftohtë është bërë e mundur, që në javën e parë të dhjetorit, furnizimi me barna dhe pajisje mjekësore.

“Që në javën e parë të dhjetorit, përfshirë dhe këtu në Elbasan, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me barna dhe materiale mjekësore për 3 muaj, 90-95 Qendra Shëndetësore, të cilat bllokohen zakonisht gjatë stinës së dimrit, ashtu siç ne kemi filluar mbrojtjen e personelit shëndetësor që në javën e fundit të tetorit me vaksinën e gripit”, theksoi Beqaj.

Ndërkohë, në Durrës, janë më shumë se 500 qytetarë të cilët kanë bërë vaksinën e gripit vetëm në dy ditët e fundit. Nga qyteti bregdetar, z. Beqaj i bëri thirrje qytetarëve që, që me shenjat e para t’i drejtohen Qendrave Shëndetësore, ndërsa shprehu falënderime për gjithë personelin shëndetësor në vend për përballimin e kësaj situate deri më tani.

“Janë mbi 500 vaksina të aplikuara që nga dita e pardjeshme që ka filluar aplikimi në Durrës, qoftë në Qendrat Shëndetësore që janë në fshatra, qoftë edhe në Qendrat Shëndetësore të qytetit të Durrësit. Do të vijojmë të garantojmë funksionimin e këtij shërbimi gjatë gjithë muajit janar dhe unë dua të ftoj qytetarët që, që me shenjat e para t’i drejtohen Qendrave Shëndetësore dhe dua të shfrytëzoj këtë mundësi që të falënderoj, jo vetëm, personelin shëndetësor këtu në Durrës po në gjithë Shqipërinë, në Kujdesin Parësor, në kujdesin Spitalor, shërbimin e Urgjencës, atë të autoambulancave dhe të urgjencës ajrore me helikopter për gatishmërinë që kanë treguar në këto ditë me ngarkesë për sistemin tonë shëndetësor por që për fat të mirë deri tani ja kemi dalë, në vlerësimin tonë, mjaftueshëm mirë”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë.

Prononcimi i Ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj në qytetin e Elbasanit:
Ne vazhdojmë të përgjigjemi situatës epidemike të gripit por edhe situatës të një dimri goxha të ftohtë në të gjithë vendin. Sot është e dielë megjithatë i gjithë Kujdesi Shëndetësor Parësor në qytetet kryesore të vendit është në shërbim të vizitave për të qenë më pranë qytetarëve por dhe për të ulur sado pak ngarkesën shumë të madhe që ka në spitalet tona. Prej disa ditësh kemi filluar edhe me shpërndarjen e vaksinës së gripit. Edhe në këtë Qendër këto tre ditë janë bërë rreth 50 vaksina, ndërkohë edhe shërbimet e Urgjencës, qoftë ato me autoambulancë, por ku ka qenë e nevojshme në zona të largëta dhe nga ajri kemi qenë në gatishmëri. Situata vazhdon të jetë problematike, ende intensiteti i sëmundjes është i lartë edhe pse ditët e fundit jemi përpjekur që të administrojmë me një bashkëpunim midis spitaleve dhe Qendrave Shëndetësore, në të gjithë vendin janë ende rreth 10 të sëmurë që janë rëndë, janë kryesisht të sëmurë kronik të cilët, qoftë epidemia e gripit, qoftë temperaturat shumë të ftohta që ndikojnë në gjendjen e tyre shëndetësore, janë situata që po vazhdojmë t’i trajtojmë në reanimacionet kryesore që kemi në Tiranë, qoftë në QSUT, qoftë në spitalin e mushkërive “Shefqet Ndroqi”.

Po në zonat e thella malore ka probleme? Ka shërbim mjekësor?
Sigurisht shërbim mjekësor ka. Dje për shembull ka një rast shumë të veçantë që duhet përshëndetur, mjeku i Elbasanit i cili ka bërë 14 kilometra për të shkuar për t’i shërbyer 5 të sëmurëve sepse rruga ishte praktikisht e bllokuar. Por që në javën e parë të dhjetorit, përfshirë dhe këtu në Elbasan, Ministria e Shëndetësisë ka furnizuar me barna dhe materiale mjekësore për 3 muaj, 90-95 Qendra Shëndetësore të cilët zakonisht bllokohen gjatë stinës së dimrit, ashtu siç ne kemi filluar mbrojtjen e personelit shëndetësor që në javën e fundit të tetorit me vaksinën e gripit.

Dhe gjatë fundjavave do të jenë në shërbim?
Po. Edhe ditët e diela do të vazhdojnë të funksionojnë gjatë gjithë janarit por edhe në shkurt shërbimi shëndetësor parësor. Faleminderit!

Prononcimi i Ministrit të Shëndetësi, Ilir Beqaj, në qytetin e Durrësit:
Edhe në Durrës, sot që është e dielë, ashtu si në qytetet kryesore të vendit ku janë spitalet rajonal, Qendrat Shëndetësore janë të hapura për të përballuar nevojat që kanë qytetarë të ndryshëm në këtë periudhë që kemi dhe epidemi gripi dhe situatë moti goxha të ftohtë. Ndihmojmë qytetarët duke i ardhur më pranë tyre, ulim ngarkesën, në raste të caktuara dhe të panevojshme nëpër spitale, gjithashtu është dita e tretë sot që edhe këtu në Durrës është i mundur vaksinimi. Janë mbi 500 vaksina të aplikuara që nga dita e pardjeshme që ka filluar aplikimi në Durrës, qoftë në Qendrat Shëndetësore që janë në fshatra, qoftë edhe në Qendrat Shëndetësore të qytetit të Durrësit. Do të vijojmë të garantojmë funksionimin e këtij shërbimi gjatë gjithë muajit janar dhe unë dua të ftoj qytetarët që, që me shenjat e para t’i drejtohen Qendrave Shëndetësore dhe dua të shfrytëzoj këtë mundësi që të falënderoj, jo vetëm, personelin shëndetësor këtu në Durrës po në gjithë Shqipërinë, në Kujdesin Parësor, në kujdesin Spitalor, shërbimin e Urgjencës, atë të autoambulancave dhe të urgjencës ajrore me helikopter për gatishmërinë që kanë treguar në këto ditë me ngarkesë për sistemin tonë shëndetësor por që për fat të mirë deri tani ja kemi dalë, në vlerësimin tonë, mjaftueshëm mirë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike

Gjirokastër/ Zjarr në kullotat e Hundkuqit, zjarrfikësit në vendngjarje! Situata duket kritike