Virozat e stinës e gripi stinor kanë krijuar fluks e radhë të gjata pritjeje në urgjencën pediatrike. Të alarmuar nga situata e krijuar prindërit shprehen të shqetësuar për pritjet që shkojnë deri në 4 orë dhe për mungesën e mjekëve për përballimin e këtij fluksi.

 “Kemi katër orë që rrimë tek urgjenca. Pikë respekti nuk kam për shtetin, jo për punonjësit. Këto s’kanë faj. Janë dy doktorë dhe numri i radhës 140.”- tha një prind.

“Presim në radhë. Jam numri 161. Kam gjysmë ore që pres. Goca me temperaturë 39 e dy vija .” - tha një nënë.

“Kemi një orë e 30 minuta që presim dhe dy orë do pres. Brenda është plotë. Po punon vetëm një doktor.” - tha një tjetër prind.

Virozat dhe gripi stinor kanë shpërthyer tek moshat pediatrike. Radhë të gjata pritjeje dhe fluksi i shtuar ka qenë  papërballueshëm nga urgjenca pediatrike ku sipas prindërve shërbimi nuk është i duhuri pasi nuk ka mjek mjaftueshëm.

 “Temperatura e lartë që shkon 39-40 gradë është simptoma më e shpeshtë, temperaturë, temperaturë e cila ka qenë e pamenaxhueshme në kushte shtëpie.”

“Me temperature. Ka pas katër – pesë ditë . Me 38 gradë, me 38 e dy vija. E kam pasur me atibiotikë. E sollëm për një rishikim.”

“Që dje mbasdite e kam me temperature. E kam dërguar dhe te mjeku i familjes. Ka marr shurup dhe nuk I bie. Ndërkohë rradha është te 128, do pres unë dy orë edhe tre orë. Temperatura nuk po i bie.”

“Me temperature 39, 38. Ka dy ditë me këtë gjendje.”

“Deri tani me 38 e gjysmë. Është katër vjeç. Ka dy ditë me këto simptoma.”

Në këto kohë virozash pavarësisht këshillës së mjekëve për mbajtjen e maskave e shmangien e grumbullimeve, në urgjencën pediatrike pothuajse askush nuk ishte i pajisur me barrierë mbrojtëse. Në pediatrinë e QSUT rekomandojnë fillimisht konsultën te mjeku I familjes para paraqitjes në urgjencë për të shmangur fluksin dhe kërkojnë mospërdorim të antibiotikëve pa recetë nga specialisti.