Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dënuar sot heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Izraelit në Ambasadën izraelite në Tiranë gjatë protestës së mbajtur mbrëmjen e së shtunës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Balla tha se çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë qëndrimet e tij politike, por theksoi se cenimi i përfaqësive diplomatike apo simboleve të kombeve të tjera nuk është në traditën e shqiptarëve. Ai gjithashtu u bëri thirrje organizatorëve të protestës të dënojnë dhe të distancohen nga ky \akt i rëndë dhe i turpshëm'.

"Çdo qytetar ka të drejtë të protestojë dhe të shprehë qëndrimet e tyre politike, por nuk është në traditën e shqiptarit të cënojë përfaqësitë diplomatike apo simbolet e kombeve të tjera. Populli shqiptar është njohur në histori për respektin ndaj tjetrit dhe për mbrojtjen e hebrenjve gjatë Holokaustit. Organizatorët e protestës, kushdo qofshin ata, duhet të dënojnë dhe të distancohen nga akti i rëndë e i turpshëm i heqjes dhe përdhosjes së flamurit të Shtetit të Izraelit tek Ambasada në Tiranë nga protestues të maskuar gjatë protestës së mbrëmshme" 


Lajmi kryesor:

VIDEO/ Flamuri izraelit u përdhos nga protestues të maskuar, Ministria e Jashtme: Nuk përfaqësojnë Shqipërinë, përhapin urrejtje! Ambasadorja Peleg: Ky akt nuk i nderon shqiptarët