Anëtarja e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Miliana Muça, do të dalë në 31 janar 2020, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit të saj për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Çështja e gjyqtares Muça po shqyrtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici, Firdes Shuli dhe Brunilda Bekteshi. Për anëtaren e Gjykatës Speciale procesi i Vetingut ka nisur që në 15 janar 2019. Muça ka qenë gjykatëse në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda deri në dhjetor të 2019, kohë në të cilën Këshilli i Lartë Gjyqësor e emëroi në Gjykatën e Posaçme. Si gjyqtare e Krimeve të Rënda, Muça ka vendosur në janar të 2019 mbylljen në burg pa afat të Klement Balilit, i quajtur ndryshe “Eskobari i Ballkanit”. Disa muaj më vonë Balili u dënua me 15 vite burg, por me aplikimin e gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul në 10 vite. 

Gjyqtarja Miliana Muça ka marrë pjesë e shqyrtimin e dosjes së Prokurorisë kundër ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i shpallur fajtor nga shkalla e parë për veprën penale “shpërdorim detyre’. Miliana Muça u caktua edhe si gjyqtare e dosjes së 613 kilogramëve kokainë të kapura në Maminas, ku nën akuzë është Arbër Cekaj, për të cilin prokuroria kërkon 21 vite burg. Miliana Muça ka drejtuar edhe gjyqin ndaj Fadil Kasemit, i cili u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildese Hafizi. Vendimi i fundit i zonjës Muça është rrëzimi i kërkesës së SPAK-ut për pushimin e hetimit ndaj gjyqtarëve Skënder Damini, Aleks Nikolli dhe Petrit Aliaj, të cilët vendosën në 8 shkurt 2019 që të pranonin kërkesën për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit, duke e shpëtuar atë automatikisht nga burgimi i përjetshëm.

Ndërkaq, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të dalë nesër edhe kryetarja e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Entela Shedula, e cila do të njihet me rezultatet e hetimit. Dosja e kryegjyqtares Shedula do të shqyrtohet nga Xhensila Pine, Brunilda Bekteshi dhe Suela Zhegu. Entela Shedula është përfolur për një vilë trekatëshe, ndërsa është denoncuar edhe për vendime të dyshimta. Gjyqtarja është akuzuar edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, për lirimin e një personi të arrestuar nga policia dhe të akuzuar për vepra të rënda penale. Gjithsesi, do të jetë Komisioni i Vetingut organi që do të vlerësojë vendimmarrjet dhe pasurinë e kryegjyqtares.