Gruaja e prokurorit Ndoja mbrojti dhe fitoi gjyqin e të moshuarit për tokën tek Gjiri i Lalzit (VIDEO)

Zyra e avokatisë së bashkëshortes së prokurorit Arjan Ndoja ka përfaqësuar në gjyq për çështjen e pronave në Gjirin e Lalzit, 75-vjeçarit Pal Seçuni, pas të cilit dyshohet të fshihej Landi Muharemi. Bëhet fjalë për 45 mijë metra katrorë në Gjirin e Lalzit, për të cilën Bashkia e Durrësit pretendonte të ishte tokë shtetërore dhe jo private, dhe që i kishte dhënë leje për investim (resort) një biznesmeni libanez  Faad Mitri. Në këtë çështje, ish-kryegjyqtarja e Durrësit, i dha të drejtë të moshuarit me avokatë nga studio e bashkëshortes së prokurorit Ndoja. 

"Rasti konkret kur gruaja e tij ka përfaqësuar një gjyq civil, bëhet fjalë me bashkinë e Durrësit ku ka përfaqësuar Pal Seçunin, që ka pasur nga pas persona të fisin Muharremi në zonën e Sukthit, dhe është fituar pikërisht nga studio e avokatisë së gruas së prokurorit, gjyqi që solli rrahjen barbare të biznesmenit libanez", tha gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, i ftuar në emisionin "Repolitix" në Report Tv, me moderator Denis Mingën. Biznesmeni do të ndërtonte kompleksin përmes strategjisë për të rritur investimet, 1 euro për metër katror. Por pas vendimit të Gjykatës, i cili nuk u apelua, toka që pretendohej shtetërore u kthye në private në pronësi të të moshuarit. Aktualisht kjo pronë është në duart e Muharremajve në Sukth, pasi gazetari Elton Qyno tha se Pal Seçuni pas fitores së gjyqit ja ka shitur tokën disa personave që kanë lidhje me grupin e Muharremajve në Sukth.

Sa i përket dosjeve të gjetura në makinën e prokurorit Arjan Ndoja, që u gjetën nga ekspertiza në makinë pas atentatit në Mbikalimin e Shkozetit, gazetari Elton Qyno tha se ato janë të studios ligjore të bashkëshortes së prokurorit, ndërsa hodhi dyshime edhe për disa dokumente nga dosjet që u vodhën në 2018 në Prokurorinë e Durrësit. Vetë prokurori Ndoja në një reagim për mediat ditën e sotme nga spitali, i qëndroi pikërisht kësaj linje, se janë dosje në të cilët është e përfshirë studio e tij ligjore.

"Dosjet merren në shtëpi për shkak të mbingarkesës. I marrin në shtëpi dhe përgatisin konkluzionet përfundimtare apo për apelimi. Janë gjendur dosje që kishte në proces bashkëshortja e prokurorit, e cila ka zyrë avokatie. Arjan Ndoja nuk ka hetuar çështje pronash, apo të gjyqtarit Skerdilajt Konomi, që është vrarë në Vlorë, pasi kjo dosje është në prokurorinë e krimeve të rënda. Në makinë dyshohet të jenë gjetur dokumente që dyshohet të jenë vjedhur në prokurorinë. Disa dokumente, por jo të gjitha përkojnë me dosjet e vjedhura që kishte në dorë prokurori Afrim Shehu i cili ka hetuar çështje pronash në Gjirin e Lalzit", tha në Repolitix gazetari i Shqiptarja.com Elton Qyno.

Dyshimet janë se ato dosje, janë dokumente që u grabitën nga Prokuroria e Durrësit në maj të vitit 2018, nga persona që ende sot nuk janë identifikuar. Këto dokumente të vjedhura ishin dosje korrupsioni, që lidhen me pronat, mes të cilave edhe ajo e abuzimit me pronat dhe plazhet publike në Ishëm dhe te Gjiri i Lalzit, ku u arrestuan dhe katër ish-zyrtarë të shtetit, mes të tyre dhe ish-kryetari i Komunës Ishëm.

Prokurorit Arjan Ndoja 4 ditë më parë ju bë atentat teksa ishte në makinë me Landi Muharremin, njohur si i forti i Sukthit, ku të dy mbetën të plagosur së bashku me shoferin Andi Maloku, ish-polic në komisariatin e Krujës.

G.M./xy/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi

Krishtlindja në Tiranë/ koncerti i Merita Halilit elektrizon sheshin 'Skënderbej', kthehet në pistë vallëzimi