Figura e gruas në kinemanë shqiptare; nga luftëtarja antifashiste te gruaja e emancipuar, punëtore apo intelektuale, ka qenë një temë e trajtuar gjerësisht në filmat e periudhës së komunizmit dhe më pas.

Role të tilla i gjejmë në filma si “Vajza me kordele të kuqe”, “Dimri i fundit”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, por edhe në portretizime të gruas traktoriste, akademike apo komuniste që sfidon martesën e imponuar.

Hulumtimet mbi këtë tematikë vijnë përmes librit të studiueses Malda Lika, të diskutuara gjerësisht këtë të martë në kinemanë “Drita” në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit. Për studiuesen Eriona Vyshka, ka ende shumë hapësirë për të bërë kërkime mbi rolin e gruas në kinematografi.

“Roli i gruas në kinematografinë shqiptare meriton të studiohet më tej, jo vetëm si personazh në film, por edhe si krijuese dhe profesioniste pas kamerës. Gruaja ka pasur një rol të jashtëzakonshëm në jetën social-kulturore të Shqipërisë dhe kjo është pasqyruar edhe në kinematografi, veçanërisht gjatë realizmit socialist.”

Vyshka vëren një sërë titujsh të lindur gjatë kësaj periudhe, si ekranizimi i romanit “Dasma” i Ismail Kadaresë në filmin me titull “Përse bie kjo daulle”, filmat që në Shqipëri u shndërruan gati në mite, si “Kapedani” apo “Përrallë nga e kaluara” etj.

“Të gjithë këta filma autorja e re i ka trajtuar me shumë veçanti, duke nxjerrë ato specifikat e e të gjitha këtyre etapave, duke arritur më në fund edhe tek filmat më të rinj, si: “Bolero” apo “Derë e hapur” dhe regjisorë më të rinj.”, vijon Vyshka.

Ndërsa autorja e këtij studimi, Malda Lika, tregon se libri nisi si një temë diplome në degën “Cinema and Gender”. Ndërkohë që ajo njihej me atë çfarë kishte ndodhur në perëndim me figurën e gruas në kinema, si në Hollivud apo dhe në Itali, nuk dinte asgjë se çfarë kishte ndodhur gjatë kësaj periudhe në Shqipëri.

“Duke qenë se brezi im nuk është rritur me kinemanë shqiptare, pyetja ime ishte: çfarë ka ndodhur me përfaqësimin e gruas në filmat tanë gjatë këtyre viteve? Kjo më shtyu të kërkoj në arkiva dhe të zbuloj thesare të panjohura për shumë prej nesh.”, thotë Lika.

Mungesa e studimeve të mirëfillta ndërdisiplinore mbi rolin e gruas në kinemanë shqiptare e shtyu autoren ta shndërronte këtë punë në një botim, duke hapur kështu një debat mbi kinemanë shqiptare dhe rolin e saj në formësimin e identitetit gjinor dhe shoqëror ndër dekada.