Në librin e tij të fundit, filozofi e diplomati Fatos Tarifa ulet në ‘Bisedë me Volterin’, në kafe ‘Procope’ në Paris. Autori thotë se zgjodhi figurën e Volterit për shkak të aktualitetit që vazhdojnë të kenë idetë e filozofit francez mbi arsyen, lirinë dhe paragjykimet.

“Është një libër që e kam shkruar me kënaqësi, por edhe si një nevojë shpirtërore. Dialogu është forma më e mirë për të kërkuar të vërtetën. Jo për ta shpallur atë, por për ta kërkuar përmes pyetjeve. Për sa kohë që marrëzia dhe budallallëku mbretërojnë, Volteri nuk do të jetë kurrë larg nesh.”, tha autori Fatos Tarifa.

Për gazetarin Rezar Xhaxhiu, shpesh bëhet e vështirë të dallosh se ku mbaron filozofi francez dhe ku nis mendimi i Tarifës.

“Për mua ky titull nënkupton se librat më të mirë nuk janë ata që japin përgjigje përfundimtare, por ata që hapin biseda, shtrembërojnë ide të guximshme dhe polemizuese.”, tha gazetari Rezar Xhaxhiu gjatë prezantimit të librit.

Shkrimtarja Diana Çuli vlerëson se libri sjell në vëmendje debatet mbi fanatizmin, teknologjinë, të drejtat e njeriut dhe krizën e mendimit kritik në kohët moderne.

“Ky është libri i 60-të i profesor Tarifës. Ai ngre pyetje shumë aktuale: a është bërë bota më e mençur, a kemi më shumë të vërtetë, apo jetojmë në kohën e manipulimit digjital dhe iluzionit të lirisë së mendimit?”, tha ajo.

“Bisedë me Volterin” vjen si një reflektim mbi shoqërinë e sotme duke sjellë në qendër pyetjen nëse qytetërimi modern ka përparuar vërtet bashkë me njeriun. Ky botim vjen në kujtim të pedagogut dhe mentorit të tij, filozofit shqiptar Zija Xholi.