Nisma “Biblioteka shqip në diasporë” po zgjerohet në komunitetet shqiptare jashtë vendit, duke krijuar kënde të librit shqip në bibliotekat publike dhe komunitare.
Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama thekson se deri tani janë ngritur 25 kënde të librit shqip në Itali, Greqi dhe Zvicër, ndërsa shumë shpejt, projekti do të përhapet dhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarë.
“Një vlerë e shtuar e kësaj nisme është programi dygjuhësh i Qendra e Botimeve për Diasporën, i cili u mundëson edhe bashkëmoshatarëve të huaj të njihen me kulturën dhe letërsinë shqiptare, duke nxitur komunikimin dhe mirëkuptimin mes kulturave” shkruan Rama në Facebook.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e projektit teksa vazhdon puna për standardizimin dhe certifikimin e gjuhës shqipe sipas parametrave të Kornizës Europiane të Gjuhëve, proces që synon t’i japë shqipes statusin dhe prestigjin e një gjuhe të certifikuar ndërkombëtarisht.
“Gjuha shqipe në bibliotekat e botës është një hap më shumë për ruajtjen e identitetit dhe afrimin e brezave të rinj në mërgatë me librin”, u shpreh Rama.
Komente









