Grup pune rajonal për përballimin e flukseve migratore, BE e Britania ofrojnë mbështetje

TIRANE - Lufta e bashkërenduar kundër emigracionit të paligjshëm dhe bashkërendimi i veprimeve për përballimin e flukseve migratore përmes Ballkanit Perëndimor u diskutua paraditen e sotme në Tiranë, ku u mblodhën ministrat e brendshëm të rajonit, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe.

Për ministrin e Brendshëm Balla, fakti që ky është takimi i dytë brenda gjashtë muajve që zhvillohet në Tiranë tregon vullnetin e palëkundur të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit për të bashkëpunuar në drejtim të sfidave të migracionit.

Në vitet e fundit, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal, duke arritur rezultate të prekshme për qytetarët tanë, siç janë marrëveshjet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për lëvizjen e lirë, si dhe duke përballuar flukset migratore, nëpërmjet parandalimit të migracionit të parregullt me fokus sigurinë e kufijve por edhe respektimin e dinjitetit njerëzor të migrantit' tha ministri i Brendshëm

Në kontekstin e shndërrimit të Shqipërisë në një destinacionit gjithnjë e më të rëndësishëm turistik, Balla tha se sigurua është prioritet madhor. 

“Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit me partnerët në periudhën Janar – Prill 2024, kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Modeli i bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar është model i shkëlqyer i rezultateve të arritura, duke ulur me % numrin e shqiptarëve të mbërritur gjatë vitit 2023” vijoi më tej ministri.

Duke vlerësuar arritjet shqiptaro-britanike në luftën e përbashkëta kundër emigracionit të paligjshëm, ministri i shtetit për këtë sektor në Ministrinë e Brendsshme në Mbretërinë e Bashkuar, Tomlinson apelin e kishte të drejtpërdrejtë.

“Grupet e organiziata kriminale duhet të vihen në shënjestër dhe të shkatërrohen me të gjitha përpjekjet tona të përbashkëta”, tha Michael Tomlinson, ministër Shteti në Briani

I pranishëm në ministerial, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, garantoi mbështetjen e Brukselit për Shqipërinë dhe rajonit në këtë luftë të përbashkët.

“Do të doja të të përgëzoja për miratimin e strategjisë së fundit për migracionin. Jo vetëm që është në përputhje me standardet e plan veprimit të vendeve evropiane, por është dhe më ambicioz. Të jeni të sigurt se BE është krah jush dhe gati t’ju mbështesë në zbatimin e kësaj strategjie” u shpreh ambasadori i BE-se, Silvio Gonzato.

Në takim u miratua një deklaratë, ndërsa ngrihet një grup i përbashkët rajonal pune që do të bashkërendohet nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe që do të raportojë për situatat dhe problematikat çdo 3 muaj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:46
Shqipëria, Britania e Madhe dhe Kosova firmosin deklaratën e përbashkët të bashkëpunimit kundër migracionit të paligjshëm

Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar nënshkruan sot gjatë Ministerialit të mbajtur në Tiranë, një Deklaratë Bashkëpunimi. Tre ministrat konfirmojnë angazhimin për të bashkuar përpjekjet në luftën kundër migracionit të paligjshëm, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendeve dhe mirëqenien e qytetarëve.

Deklarata u firmos nga ministri i Brendshëm Taulant Balla, Michael Tomlinson, ministër Shteti në Briani dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla. 

Tre vendet partnere, përmes dokumentit nënvizojnë se përballen me sfida të përbashkëta, nisur nga migracioni i paligjshëm tek krimi i organizuar. Në Deklaratë thuhet se bashkëpunimi i zgjeruar në nivel operacional midis agjencive të zbatimit të ligjit dhe angazhimet e përbashkëta, do të ndihmojë në çmontimin e grupeve kriminale që lehtësojnë kalimet e paligjshme të kufirit duke shfrytëzuar migrantët dhe refugjatët vulnerabël.

Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria sjellin ndërmend Komunikatën e Përbashkët të vitit 2022, e cila u fokusua në masat e zgjeruara për të trajtuar migracionin e paligjshëm.

Kjo përfshinte krijimin e një Task Force të Përbashkët të Migracionit Mbretëri e Bashkuar - Shqipëri dhe rezultoi në uljen e mbërritjeve të anijeve të vogla shqiptare me 90% në vitin 2023.

Megjithatë, përmes dokumentit të firmosur sot, ministrat theksojnë se krimi i organizuar i imigracionit mbetet akoma sfidë, duke përfshirë transitin e shtetasve të vendeve të treta brenda Ballkanit Perëndimor dhe në Mbretërinë e Bashkuar, thuhet në njoftimin e ministrisë së Brendshme. 

Kosova i bashkohet Task Forcës së Përbashkët të Migracionit për të ofruar një reagim të përbashkët të zbatimit të ligjit ndaj migrimit të paligjshëm. Kjo do të mundësojë rritjen e aktivitetit të përbashkët operacional dhe rritjen e niveleve të shkëmbimit të të dhënave dhe informacionit.

Ora 10:23
Ndërministeriali i Ballkanit Perëndimor, Balla: Kemi arritur rezultate në përballimin e flukseve migratore! Angazhohemi për një rajon të sigurtë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla mbajti fjalën e tij në Konferencën Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor ‘Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor’.

Në konferencën e mbajtur në Pallatin e Kongreseve, nën praninë e ministrave nga rajoni dhe vendet e Bashkimit Europian, si dhe në praninë e ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, Balla shprehu krenarinë për atë çka kanë arritur vendet e rajonit në lidhje me lëvizjet migratore dhe sigurinë e kufijve.

'Duke parë atë që është arritur deri më tani në menaxhimin e flukseve migratore, sigurinë e kufijve, respektimin e të drejtave dhe lirive të migrantëve, mund të them me krenari se të gjitha vendet tona kanë fituar sot një nivel më të madh profesionalizmi si dhe kanë filluar jo vetëm të aspirojnë standardet europiane, por t’i venë në zbatim duke pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë por njëkohësisht edhe përmes bashkëpunimit rajonal.

Në vitet e fundit, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal, duke arritur rezultate të prekshme për qytetarët tanë, siç janë marrëveshjet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për lëvizjen e lirë, si dhe duke përballuar flukset migratore, nëpërmjet parandalimit të migracionit të parregullt  me fokus sigurinë e kufijve por edhe respektimin e dinjitetit njerëzor të migrantit.', thotë ministri Balla.

Balla vlerësoi bashkëpunimin me FRONTEX për kufij të sigurtë dhe përgjigje në kohë ndaj çdo lëvizjeje të dyshimtë.

'Në kontekstin e këtyre sfidave, më lejoni të veçoj bashkëpunimin me FRONTEX i cili ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të strategjisë sonë për menaxhimin e kufijve dhe luftimin e migracionit të parregullt.

Përmes partneritetit me FRONTEX, ne kemi arritur të rrisim ndjeshëm efektivitetin e operacioneve kufitare, të trajnojmë personelin tonë dhe të modernizojmë pajisjet dhe metodat e kontrollit kufitar. Ky bashkëpunim ka lejuar jo vetëm një vëzhgim më të mirë të kufijve, por edhe një përgjigje më të shpejtë dhe më të koordinuar ndaj çdo lëvizje të dyshimtë.

Strukturat e Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë kanë punuar me përkushtim dhe këmbëngulje për parandalimin, identifikimin dhe adresimin e fenomenit të migrimit të parregullt ku përfshihen qytetarë nga vendet e përfshira në konflikt dhe më gjerë.

Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit me partnerët në periudhën Janar – Prill 2024, kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.', tha më tej Balla.

Së fundmi Balla kërkoi edhe mbështetje nga partnerët europianë për sisteme informacioni të sigurta për të minimizuar riskun dhe monitoruar kufijtë.

'Domosdoshmëri mbetet edhe mbështetja e mëtejshme nga partnerët europianë për ndërtimin e sistemeve të shkëmbimit të informacionit, veprimeve të përbashkëta dhe analizës së riskut për të monitoruar kufijtë në formë efektive dhe kontrolle të krimeve të kalimit kufitar.

Në përfundim, le të rikonfirmojmë angazhimin tonë për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.

Përpjekjet tona të përbashkëta në këtë konferencë duhet të shërbejnë si një nxitje për veprime të mëtejshme dhe për bashkëpunim të thelluar.

Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët ku siguria dhe prosperiteti janë të garantuar për të gjithë qytetarët tanë.', tha Balla.

S.G/E.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Trafik i rënduar në Vlorë nga ardhja e emigrantëve për festat

Trafik i rënduar në Vlorë nga ardhja e emigrantëve për festat