Ndërministeriali i Ballkanit Perëndimor, Balla: Kemi arritur rezultate në përballimin e flukseve migratore! Angazhohemi për një rajon të sigurtë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla mbajti fjalën e tij në Konferencën Ndërministeriale të vendeve të Ballkanit Perëndimor ‘Bashkëpunimi për Sigurinë dhe Flukset migratore përmes Ballkanit Perëndimor’.

Në konferencën e mbajtur në Pallatin e Kongreseve, nën praninë e ministrave nga rajoni dhe vendet e Bashkimit Europian, si dhe në praninë e ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, Balla shprehu krenarinë për atë çka kanë arritur vendet e rajonit në lidhje me lëvizjet migratore dhe sigurinë e kufijve.

'Duke parë atë që është arritur deri më tani në menaxhimin e flukseve migratore, sigurinë e kufijve, respektimin e të drejtave dhe lirive të migrantëve, mund të them me krenari se të gjitha vendet tona kanë fituar sot një nivel më të madh profesionalizmi si dhe kanë filluar jo vetëm të aspirojnë standardet europiane, por t’i venë në zbatim duke pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë por njëkohësisht edhe përmes bashkëpunimit rajonal.

Në vitet e fundit, Shqipëria së bashku me vendet e tjera të rajonit kanë mbrojtur vlerat dhe praktikën e bashkëpunimit rajonal, duke arritur rezultate të prekshme për qytetarët tanë, siç janë marrëveshjet me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për lëvizjen e lirë, si dhe duke përballuar flukset migratore, nëpërmjet parandalimit të migracionit të parregullt  me fokus sigurinë e kufijve por edhe respektimin e dinjitetit njerëzor të migrantit.', thotë ministri Balla.

Balla vlerësoi bashkëpunimin me FRONTEX për kufij të sigurtë dhe përgjigje në kohë ndaj çdo lëvizjeje të dyshimtë.

'Në kontekstin e këtyre sfidave, më lejoni të veçoj bashkëpunimin me FRONTEX i cili ka qenë dhe mbetet një nga shtyllat kryesore të strategjisë sonë për menaxhimin e kufijve dhe luftimin e migracionit të parregullt.

Përmes partneritetit me FRONTEX, ne kemi arritur të rrisim ndjeshëm efektivitetin e operacioneve kufitare, të trajnojmë personelin tonë dhe të modernizojmë pajisjet dhe metodat e kontrollit kufitar. Ky bashkëpunim ka lejuar jo vetëm një vëzhgim më të mirë të kufijve, por edhe një përgjigje më të shpejtë dhe më të koordinuar ndaj çdo lëvizje të dyshimtë.

Strukturat e Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë kanë punuar me përkushtim dhe këmbëngulje për parandalimin, identifikimin dhe adresimin e fenomenit të migrimit të parregullt ku përfshihen qytetarë nga vendet e përfshira në konflikt dhe më gjerë.

Falë kësaj pune dhe bashkëpunimit me partnerët në periudhën Janar – Prill 2024, kemi vërejtur një ulje të përgjithshme të rasteve të aktiviteteve të paligjshme në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2023.', tha më tej Balla.

Së fundmi Balla kërkoi edhe mbështetje nga partnerët europianë për sisteme informacioni të sigurta për të minimizuar riskun dhe monitoruar kufijtë.

'Domosdoshmëri mbetet edhe mbështetja e mëtejshme nga partnerët europianë për ndërtimin e sistemeve të shkëmbimit të informacionit, veprimeve të përbashkëta dhe analizës së riskut për të monitoruar kufijtë në formë efektive dhe kontrolle të krimeve të kalimit kufitar.

Në përfundim, le të rikonfirmojmë angazhimin tonë për një rajon më të sigurt dhe më të qëndrueshëm.

Përpjekjet tona të përbashkëta në këtë konferencë duhet të shërbejnë si një nxitje për veprime të mëtejshme dhe për bashkëpunim të thelluar.

Së bashku, mund të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët ku siguria dhe prosperiteti janë të garantuar për të gjithë qytetarët tanë.', tha Balla.


Lajmi kryesor:

Grup pune rajonal për përballimin e flukseve migratore, BE e Britania ofrojnë mbështetje


G.K/S.G/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!

Rama me ambasadorët: Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh, viti tjetër sjelltë paqe në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme!