TIRANE- Një grup ekspertësh i ngritur nga Ministria e Energjitikës ka konkluduar se shpërthimet e ujit e gazit në Marinzë kanë ndodhur për shkak se “Bankers Petroleum Albania” nuk ka respektuar procedurat e sigurisë. Sipas ekspertëve, në zonë ekzistonte një sasi e konsiderueshme CO2 e injektuar përpara viteve ’90, fakt i cili nuk është marrë parasysh nga kompania. Kompania nuk ka ndjekur procedurat e nevojshme të sigurisë për menaxhimin e kësaj sasie gazi, gjë që shkaktoi më pas edhe shpërthimin e pusit.

Sot raporti
Ndërkaq, gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet një mbledhje në Ministrinë e Energjitkës, ku do të publikohet raporti për shkaqet që çuan në shpërthimin e puseve të naftës në Marinëz të Fierit. Raporti pritet të dalë pas mbledhjes që do të mbahet në Ministrinë  e Energjetikës, ku do të jenë të pranishëm drejtues të Albpetrol dhe AKBN-së.

Në raport  do të dalë edhe aspekti teknik se çfarë  ndodhi në Marinëz. Sipas burimeve të A1 Report, më pas do të vendoset në lidhje me penalitetet, masat dhe përgjegjësitë që ka ose jo kompania kanadeze Bankers Petroleum që po bën shpimet për naftë  në këtë zonë.

Braçe
Ndërkohë kanë vijuar reagimet nga politika dhe më të ashpra nga mazhoranca. Pas reagimit të fortë të deputetit Besnik Baraj një ditë më parë ku kërkonte nga banorët që të dërgojnë në prokurori kompaninë Bankers, ka reaguar në një status në Facebook edhe deputeti Erjon Brace, njëherësh kreu i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë.

“Vini re: Bankers njoftimin e fundit per ngjarjen ne Marinez e ka te dates 1 Prill, ditës së shpërthimit dhe i referohet aktivizimit të planit te evakuimit!! Por më shumë se Bankers, mua me shqetëson heshtja e Ministrisë përgjegjëse. Nafta është pasuria jonë kombëtare, Bankers është thjesht një operator ekonomik që ka një marrëveshje hidrokarbure me Albpetrol. Kaq, asgjë më shumë” shkruante Erjon Braçe.

Nuk ka transparencë, theksone më tej deputeti: Kjo irriton, aq sa duket se institucionet shtetërore po presin që Bankers të flasë. Ndërkohë duhet të jenë ato që duhet të bëjnë Bankers të flasë, të kërkojnë llogari prej saj deri në detaje.

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 7 Prill 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)