Gjykata e Posaçme shpalli këtë të martë vendimin për dy të pandehurit Kristi Bixheku dhe Artan Tafani, ish-pjesëtarët e grupit të Laert Haxhiut.

Ndaj tyre rëndojnë vepraat penale “shkatërrim i pronës me eksploziv”, “sigurim i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Për të pandehurin Kristi Bixheku, togat e zeza dhanë një dënim fillestar prej 3 vitesh e 6 muajsh burg, i cili me aplikimin e gjykimit të shkurtuar zbret përfundimisht në 2 vite e 4 muaj burg.

Nga ana tjetër, Tafani u dënua fillimisht me 7 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar ai përfitoi zbritjen e një së tretës së dënimit, çka e çoi masën në 4 vite e 8 muaj.

Megjithatë, duke pasur parasysh statusin e tij në cilësinë e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Gjykata e Posaçme dha vendimin përfundimtar duke e dënuar atë me 2 vite e 4 muaj burg.

Për episodin që lidhet me sigurimin e kushteve për të kryer vrasjen e Genci Hidës, në Lushnjë, në periudhën Prill-Maj 2023, GJKKO e shpalli të pafajshëm Bixhekun.

Ndërsa Artan Tafani akuzohet se në bashkëveprim me Laert Haxhiu dhe Fatjon Veliun, siguroi kushtet dhe mjetet për vrasjen e Rexhep Ginës, në Lushnjë, më datë 6 korrik 2022.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë