Iku me anije duke u betuar se nuk do kthehej më kurrë. Megjithatë më çoi haber se kishte ardhur. U takuam në kafene.
-Po thonë se ne të përndjekurit kemi qënë të gjithë spiuna, tha. Asnjëri nga ne s’ka goditur me grusht një persekutor. Unë erdha t'ja rras me grusht njërit prej tyre, spiunit tim. E kërkova. Nuk e gjeta. Kishte vdekur. Nuk mund të hapja varrin t’i rrasja një grusht kufomës së spiunit tim.
-Më vjen mirë që spiuni yt paska vdekur. Më vjen keq që vdiq pa ja hequr ti një grusht. Duket si hakmarrje e të vdekurit ndaj të gjallit. Sikur spiuni yt paska vdekur që të mos ja rrasje ti një grusht. Nuk e di çfarë do bëja unë me spiunin tim.
-Ke pasur edhe ti spiun ?
-Të gjith kishin spiun. Edhe spiunat kishin spiun.
-Mirë e ke. Grushtin që s’ja rrasa dot spiunit tim të vdekur do t’ja ngjesh gjykatësit të gjallë.
Mirpo gjykatësi im, që gjykatës atëhere gjykatës tani, po gjykon gjyqin e nipit tim. Po t’ja fusja grushtin gjykatësit do merrja më qafë nipin. E lashë gjykatësin. Nisa të kërkoj prokurorin. Me prokurorin ishin hakmarrë të tjerë para meje. E kishin pushkatuar. Familjen ja kishin degdisur nëpër burgje dhe internime. Kishte rënë viktimë e luftës brenda llojit. Pas prokurorit nisa të kërkoj hetuesin. Hetuesi më doli autoritet i lartë i një universiteti privat. Në universitetin e hetuesit studjon mbesa ime. As hetuesit s’mund t’ja rrasja grushtin për të mos i nxjerrë telashe mbesës. E lashë dhe hetuesin, thashë të gjej njërin nga dëshmitarët e rremë që në gjyq tha për mua gjithato rrena. E takova dëshmitarin rrenacak. Ndodhi diçka e paparashikuar.
Sa më pa, nisi të më kërkojë falje duke u jargavitur aq ndyrë para meje sa mu duk se po tja rrasja një grusht, dora do më ndotej aq tepër sa do duhej ta prisja me sëpatë me dorën tjetër mbi një trung. Ndërkohë që po mendoja se kush tjetër e meritonte grushtin, mora vesh diçka që më llahtarisi; Një dhëndërr i familjes t’ime kishte qënë spiun. Nuk na kishte dëmtuar. Ama gjithçka që kishim llafosur paskësh përfunduar në veshët e syshkabës, Sigurimit. Nisa ta shoh me dyshim farefisin. Tani krejt farefisin ma ka mbuluar mjegulla e dyshimit. Ndërkohë zbulova se njerëzit e spiunit t’im të vdekur, atij që nga njëra anë bënte muhabet me mua, nga ana tjetër shkonte i zbrazte të gjitha te Sigurimi, ishin lidhur prej vitesh me interesa biznesi me ca njerëzit e m’i. Ai që gjykatës ishte gjykatës është, ishte mpleksur në ndërtimin e një pallati, trualli i të cilit është i një mikut tim. Të tjera mpleksje të tilla më bindën se e mira ishte t'ja rrasja grushtin një kushuriri nga ata që ma braktisën familjen kur më burgosën. Mirpo kushurinjtë e tillë ishin shumë. Hoqa dorë nga kjo ide e lodhshëme. E di si është puna?
-E spiunit t’im apo e spiunit tënd ?
-E spiunit t’im pra. A po më ndjek ?
-Po të ndjek, por u shkëputa për një çast nga hallet e tua me spiunin tënd dhe u zhyta në ca përsiatje për spiunin t’im.
-Zbulimi se diktatura jonë, si e imja dhe e spiunit t’im, e jotja dhe e spiunit tënd, dhe e të gjithë të tjerëve dhe spiunave të tyre, paska qënë fort e fëlliqur. Mpleksjet shqiptareske me spiuna dhe viktima paskan qënë gjërat më të ndyra të kësaj bote. S’po di kujt t’ja rras grushtin. Me këto që po shoh e po dëgjoj këtu, s’ka asnjë çudi që të dyshoj, jo vetëm unë tek ty, por edhe ti tek mua, edhe ti tek vetja jote, edhe unë tek vehtja ime. A më ndihmon të mos kthehem në kurbet pa ja rrasur dikujt një grusht?
-Të ndihmoj për çdo gjë. Vetëm pare mos më kërko.
-A ta rras ty një grusht ?
-Jo.
-S'ka problem. Po ja rrars me grusht një tjetri.
U ngrit në këmbë. Me sa fuqi kishte j’a rrasi me grusht vetes.
Komento
E gjitha korrekte. I paparashikueshëm.
Përgjigju