'Grushti i Shtetit' në Moskë, dështimi i Partisë Komuniste për t’u kthyer në demokrate

'Grushti i Shtetit' në Moskë, dështimi i Partisë Komuniste për t’u kthyer në demokrate

(Vijon nga numri i kaluar i gazetës Shqiptarja.com)

Si rezultat i bisedimeve të zhvilluara midis katër Fuqive të Mëdha që fituan në Luftën e Dytë Botërore dhe dy shteteve gjermane, u vendos që Gjermania e bashkuar do të mbetet anëtare e NATO-s, trupat sovjetike gjatë katër viteve do të tërhiqen tërësisht nga vendi dhe BS-ja do të merrte kredi dhe ndihma ekonomike nga RFGJ, deri në 10 miliardë marka. Në këtë mënyrë në qoftë se më parë çdo hap reformist në Bashkimin Sovjetik ndërpritej dhe zhvillohej më tej nga refomatorët e Europës Lindore, pas vitit 1989, lëvizjet në këtë rajon i dhanë vrull proceseve demokratike dhe kthesës në vet metropolin sovjetik dhe në republikat sovjetike.

Për më tepër, historia socialiste e Evropës Lindore përfshinte një hark kohor dy herë më të vogël se historia sovjetike e socializmit. Gjithashtu në këtë rajon ishin të forta rrënjët e ekonomisë së tregut në një kohë kur në Bashkimin Sovjetik, dy breza njerëzish njihnin vetëm pronën socialiste dhe nuk perceptonin shoqërinë e mbështetur në ekonominë e tregut. Prandaj kthesa në Bashkimin Sovjetik mori karakter zgjatës dhe proceset për krijimin e rendit të ri patën shumë oshilacione dhe u shoqëruan me konflikte shumë të ashpra në disa fusha.

Në fund të periudhës së perestrojkës shoqëria sovjetike përjetoi procesin e ristrukturimit shtetëror. Çdo republikë sovjetike synonte të evidentonte identitetin nacional, të neutralizonte tutelën ruse dhe të theksonte gjuhën dhe trashëgiminë kombëtare. Në maj të vitit 1990 u mblodh kongresi i deputetëve punëtorë të federatës ruse. Në këtë organ u formua një krah i fuqishëm i deputetëve demokratë me në krye B. Jelcinin, të cilët kërkonin ndryshime radikale.

Më 12 qershor 1990, kongresi i deputetëve të popullit të RSFS-së së Rusisë miratoi “Deklaratën për sovranitetin shtetëror”, që përcaktonte pavarësinë e tyre nga strukturat federative. Kryetar i Sovjetit Suprem të RSFS-së së Rusisë u zgjodh B. Jelcin, i cili ishte bërë i njohur me qëndrimet kritike ndaj udhëheqjes së federatës. Deklarata njihte të drejtat e çdo individi për një jetë të lirë, për përdorimin e gjuhës kombëtare dhe të drejtën për vetëvendosje në format që dëshironte. Pas një viti, më 12 qershor 1991, në kuadrin e forcimit të organeve të larta ekzekutive në përputhje me ligjin, B. Jelcin u zgjodh, pas votimit popullor, President i RSFSR-së.

Dështimi për të transformuar Partinë Komuniste në Demokrate

Në korrik të vitit 1990 u mblodh Kongresi i 28-të i PKBS-së. Përpjekja për të transformuar nga brenda PKBS-në në një parti demokratike parlamentare nuk pati sukses. Në fakt, në parti zhvilloheshin në të njëjtën kohë dy beteja. Njërën e zhvillonte Gorbaçovi kundër konservatorëve dhe tjetrën Jelcini kundër partisë dhe strukturave tradicionale sovjetike.

Në këto rrethana, grupi i B. Jelcinit doli nga PKBS-ja. Në Moskë përkrahësit e Jelcinit filluan të organizojnë manifestime ku kërkonin që ai të zgjidhej president i republikës ruse. Filloi procesi i krijimit të partive socialdemokrate e liberale. U shtuan kritikat e konservatorëve dhe të demokratëve ndaj udhëheqjes së Gorbaçovit dhe grupit të tij, i cili po mbante qëndrim thuajse centrist dhe nuk dinte si të zhvillonte më tej perestrojkën dhe glasnostin.

Shoqëria e mbyllur sovjetike ishte shndërruar një shoqëri teorikisht mjaft të larmishme. Grupet e vogla kishin prirje të shndërroheshin në parti të organizuara, me gjithfarë flamujsh politikë, por që nuk ishin të qëndrueshme dhe nuk kishin jetë të gjatë. Kështu u krijua partia socialdemokrate, partia socialiste, partia demokratike, Unioni Demokratik, Partia Liberal-Demokratike, Aleanca Monarkiste ortodokse, Fronti Nacionaldemokratik, Partia Radikale, Konfederata Anarko-Sindikaliste, Partia e Kadetëve, Partia Marksiste Punëtore etj.

Ndërkaq grupi i konservatorëve në organet e larta të partisë dhe të shtetit vendosi të kalonte në aksion. U shtuan presionet mbi qeverinë dhe ministri i Jashtëm E. Shevernaxe u detyrua të jepte dorëheqjen duke u quajtur fajtor për dështimet në politikën e jashtme. Në veçanti ministri u akuzua se kishte bërë lëshime dhe ishte përgjegjës për unifikimin gjerman, se kishte favorizuar akordet ndërkombëtare sipas të cilave Bashkimi Sovjetik tërhiqej nga pozicionet e fituara në fund të Luftës së Dytë Botërore, se pranoi në OKB iniciativat amerikane në Kuvajt, se firmosi akordin për reduktimin e armëve konvencionale, se politika e re sovjetike kishte vënë në vështirësi aleatët tradicionalë në botën arabe dhe në rajone të tjera etj. pakënaqësitë u shtrinë gjerësisht në parti sepse ajo realisht po humbiste roolin e saj në shtetin dhe në shoqërinë sovjetike. U forcua prirja për të rritur kompetencat e agjencive shtetërore. Edhe ushtria po shndërrohej në vatër pakënaqësish pasi elita nuk trajtohej si më parë, efektivat filluan të shkurtohen dhe shumë ushtarakë të liruar e gjenin veten pa mbështetje. Dukej sikur vendi ishte në rrugë pa krye. Koncepti fillestar për të realizuar perestrojkën dhe për të krijuar stabilitet nuk përputheshin. Për më tepër perestrojka dhe glasnosti, pas vitit 1990, ndodheshin në ngërç.

Ndryshimet radikale në Evropën Lindore trondisin të ardhmen e BS

Ndryshimet radikale në Evropën Lindore dhe përmbysja e sistemit totalitar shtruan në rendin e ditës çështjen se cila ishte e ardhmja e Bashkimit Sovjetik. Në vend kriza politike thellohej dita-ditës. Më 12 janar 1991 shpërthyen demonstrata nacionaliste në Vilnius të Lituanisë, gjatë të cilave u vranë 14 veta dhe u plagosën 200 të tjerë. Banorët e Vilniusit, për të përballuar presionin e trupave sovjetike dhe të KGB-së, filluan të ndërtonin barrikada rreth godinës së Sovjetit Suprem të Lituanisë. Moska nuk arriti të rrëzojë qeverinë e ligjshme të Lituanisë. Në shkurt të vitit 1991 në Lituani u zhvillua referendumi dhe 90% e popullsisë u shpreh për pavarësinë. Gorvaçovi qysh në fillim e quajti referendumin të paligjshëm. Ngjarje të tilla u përsëritën edhe në Riga.

Për të përballuar situatën, presidenti caktoi si kryetar qeverie Valentin Pavlovin në vend të Nikollaj Rizhkovit. Në mars të vitit 1991 u krijua Këshilli i Sigurimit Kombëtar, në të cilin u përfshinë shumë përfaqësues të krahut konservator. Në referendumin që u zhvillua në mars 1991, rreth 76% e qytetarëve që morën pjesë në këtë referendum u shprehën për ruajtjen e BRSS-së. Në referendum nuk morën pjesë dhe vendosën ta abandononin Lituania, Letonia, Estonia, Moldavia, Gjeorgjia, Armenia. Abandonimi i shtetit federal shprehte vullnetin për jetë të pavarur.

Askush nga politikanët zyrtarë në Moskë nuk parashikonte fundin e bashkimit. Madje edhe teoricienët e Perëndimit analizonin krizën e thellë, por nuk parashikonin fundin e shpejtë të shtetit federal sovjetik. Në vetvete kriza ishte aq e thellë sa shtoi prirjet centrifugale dhe gjallërimin e nacionalizmit në secilën republikë.

Në prill 1990 M. Gorbaçovi, i mbështetur nga liderët e nëntë republikave kryesore, projekktoi një traktat të ri bashkimi (të ngjashëm me variantin e vitit 1867 kur përfundoi kompromisi për krijimin e monarkisë austro-hungareze). Ishte parashikuar që traktati të hynte në fuqi më 20 gusht 1991. Sipas projektit të ri, do të pakësoheshin të drejtat e qendrës dhe do të rriteshin të drejtat e republikave të veçanta. Sipas projektit shteti federal konceptohej si bashkim vullnetar i republikave sovrane. Qendra do të drejtonte vetëm mbrojtjen, politikën e jashtme, industrinë e sofistikuar dhe koordinimin ekonomik. Republikat merrnin gati të drejta të plota në administrimin e ekonomisë dhe të pushtetit.

    Arrestimi Gorbaçovit në Jalta, kur ndodhej me pushime

Shumica e kuadrove të lartë të partisë dhe të shtetit e shikonin traktatin si një dështim të ri të projekteve gorbaçoviane dhe vendosën të ragojnë dy ditë para se traktati të hynte në fuqi. Synimi i tyre ishte të shpëtonin strukturat e vjetra konservatore të partisë dhe të shtetit. nën drejtimin e zëvendëspresidentit G. Janjajev u krijua një komitet i jashtëzakonshëm, i cili mori pushtetin në duart e tij. Presidenti M. Gorbaçov u mbajt i arrestuar në Jalta, ku ndodhej me pushime.

Ai tashmë ishte i vetmuar dhe ndodhej, si të thuash, në vakuum. Presidenti nuk drejtonte dhe nuk kontrollonte organet kryesore të shtetit. edhe partia e drejtuar prej tij e kishte humbur rolin e saj të mëparshëm në shoqërinë sovjetike. M. Gorbaçovi e kishte traditë që të mbante fjalime, por idetë e tij për reformat nuk i përfillnin më jo vetëm punonjësit, por edhe nomenklatura partiake dhe shtetërore. Gjendja kaotike në vend, rënia ekonomike dhe paraliza e institucioneve federale partiake dhe shtetërore, u përdorën si pretekst për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme për gjashtë muaj. Duke analizuar grupet sociale dhe faktorët psikologjikë që nxisnin grushtin e shtetit, vëzhgues të huaj që ndiqnin proceset sovjetike theksonin: “Paraliza e pushtetit qendror, dështimi i reformave, mungesa e rrugëdaljes, kishte bërë që të lindte një grup intelektualësh edhe te një pjesë e madhe e popullsisë, atë që psikiatrët e kanë cilësuar “dëshirë të puçit”; dhe kjo sepse ushqehet shpresa “që të besohet për rindërtimin e vendit mbi gërmadhat e një sistemi që refuzon të dorëzohet”.

Në Rusi pranohej hapur se realiteti ishte i çoroditur dhe denatyruar dhe nuk mund të përjashtohej asgjë duke përfshirë edhe grushtin e shtetit. për më tepër perandoria ruse kishte tradita të vjetra militariste, ku ushtria konsiderohej institucioni parësor i shtetit. Kjo traditë, ndonëse në formën bolshevike, u trashëgua në shtetin federativ sovjetik. Drejtues të njohur të partisë komuniste, në shumë raste kanë përdorur rolin e veçantë të ushtrisë dhe krerët e saj për interesat e tyre egoiste. Kështu ndodhi p.sh., kur Hrushovi përdori mareshalët për të goditur Berian në vitin 1953 dhe grupin e Molotovit në vitin 1957.

Edhe në vitin 1991 kërkohej të përsëritej ky ritual i shpeshtë në vendet ku mungon demokracia. Në qershor 1991 grupi i konservatorëve bëri provën e parë për një grusht kushtetues, kur tentoi t’i jepte kryeministrit pushtet të jashtëzakonshëm për çështjet ekonomike dhe të kufizonte pushtetin e presidentit. Kjo orvajtje nuk pati sukses, por edhe komplotistët nuk u mjaftuan me kaq. Ish-ministri i Jashtëm E. Shevernaxe shpalli hapur më 3 korrik, me një letër drejtuar KQ të PKBS-së, daljen nga Partia Komuniste dhe për rritjen e veprimtarisë së krahut që kundërshtonte reformat.

Ata ishin kuadro tipike të burokracië sovjetike, pa asnjë projekt politik dhe ekonomik konkret për kalimin e krizës ekonomike dhe shoqërore. Në krye të komplotistëve ishin personalitete të tilla, si B. Krjushko, O. Baklanov, V. Pavllov, D. Jazov, V. Boldin, B. Pougo, A. Tiziakov, G. Janjaev, të cilët drejtonin institucionet kryesore shtetërore të Bashkimit Sovjetik. Gjithë këta elementë krijuan Komitetin Shtetëror të Gjendjes së Jashtëzakonshme (KSHGJJ). Me ta u bashkuan, ndonëse në forma jo të hapura, edhe personalitete të tilla të larta shtetërore, si Ljukanov, Besmertnij etj. Po të analizohet përbërja e komitetit vihet re se në komitet merrnin pjesë funksionarët më të lartë shtetërorë si zëvendëspresidenti i BS-së, kryeministri, kryetari i Komitetit të Sigurimit të Shtetit (KGB), ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm etj., të cilët ishin shprehur kundër dezintegrimit të Bashkimit Sovjetik.

    Komiteti i Gjendjes së Jashtëzakonshme, lirimi i Gorbaçovit

Komiteti i Gjendjes së Jashtëzakonshme, duke pasur parasysh gjoja gjendjen jo të mirë shëndetësore, e liroi Gorbaçovin nga detyra e Presidentit të BS-së dhe pasues i tij u caktua G. Janjajev. Komiteti, nëpërmjet presidentit të përkohshëm Genadi Janjajev, njohu kryetarët e shteteve dhe të qeverive, si edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për gjendjen e krijuar, ku për gjashtë muaj shpallej në disa territore të BS-së gjendja e jashtëzakonshme. Në mesazh pohohej se “janë marrë masa të përkohshme për t’u zbatuar. Ato nuk sinjifikojnë asnjë largim nga politika e thellimit të reformës në të gjitha fushat e jetës së shtetit dhe të shoqërisë. Këto masa të domosdoshme janë diktuar nga kërkesa jetike për të shpëtuar ekonominë e shkatërruar dhe vendin nga zia e bukës, për të evituar shkallëzimin e një rreziku të konfliktit të gjerë civil, që mund të dalë papritmas me pasoja të paparashikuara për popujt e BRSS-së dhe për të gjithë komunitetin botëror”. Duke vazhdduar më tej, mesazhi pohonte se objektivi është që të sigurohet jetesa e individit dhe mirëqenia sociale, të likuidohen formacionet ushtarake antikushtetuese që mbjellin terror moral e psikik në disa rajone të vendit.

Komiteti miratoi një rezolucion të posaçëm prej 16 pikash, ku përfshiheshin masat polittike, juridike, ekonomike, administrative për të mënjanuar gjendjet e turbullt dhe për vendosjen e normalitetit në vend. Ndër to, më të rëndësishmet ishin:

     - Të gjitha organet e pushtetit dhe të administratës në qendër apo në bazë të zbatojnë në mënyrë strikte zbatimin e kushteve të regjimit të gjendjes së jashtëzakonshme.

     - Strukturat e pushtetit të administratës, si edhe formacionet paraushtarake që janë në kundërshtim me Kushtetutën, të shpërndahen menjëherë.

     - Të anulohen të gjitha ligjet dhe vendimet që ishin në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet e BRS-së.

     - Të pezullohen aktivitetet e partive politike dhe të lëvizjeve shoqërore që destabilizojnë situatën.

     - Të dorëzoheshin armët e mbajtura nga persona, ndërmarrje dhe nga organizata.

     - Të mbrohej rendi publik dhe sigurimi shtetëror. Të ndaloheshin mitingjet, manifestimet e grevat dhe të kontrolloheshin organet e informacionit masiv.

     - Të forcohej rregulli dhe regjimi në ndërmarrjet ekonomike.

     - Të adaptoheshin masat të jashtëzakonshme në bujqësi për grumbullimin dhe për transportimin e prodhimeve bujqësore.

     - Më 1991-1992 t’u jepen qytetarëve ngastra toke prej 0,1 ha për kopshte apo perimore.

     - Të merren masa për të përmirësuar falas asistencën mjekësore dhe arsimin publik.

Puçistët në Moskë dështuan. Kundër tyre u ngritën punonjës të Moskës, të drejtuar nga Presidenti i Republikës Federative të Rusisë. B. Jelcin. Repartet ushtarake, të vëna në lëvizje, nuk pranuan të përdoreshin kundër moskovitëve.

Vetë ministri i Mbrojtjes D. Jazov nënshkroi urdhrin dhe trupat u tërhoqën në kazerma. Jo vetëm në Moskë, por edhe në Moldavi, në Ukrainë dhe në zonat balltike, forcat që përkrahën puçistët u kundërshtuan nga masat popullore, nga qeveritë e republikave dhe nga parlamentet nacionale.

Presidenti M. Gorbaçov u lirua nga izolimi treditor në Krime, por tani ai nuk ishte veçse hije e së kaluarës, pa autoritet moral dhe politik para qytetarëve. Ai, sikurse vë në dukje A. Greenspan, “nuk e rrëzoi qëllimisht Bashkimin Sovjetik, por ama nuk bëri asgjë për të ndaluar shpërbërjen e tij”.

Pas ngjarjeve të gushtit të vitit 1991, de facto organet shtetërore federale pushuan së ekzistuari dhe i gjithë pushteti ekzekutiv kaloi nga qendra në republikat e veçanta. Në vjeshtën e vitit 1991, udhëheqja e Rusisë, veçanërisht presidenti Jelcin, vuri si detyrë shkatërrimin e strukturave të Partisë Komuniste dhe krijimin e strukturave të veçanta në qendër e në provinca. Marrëhëniet e Jelcinit me Gorvaçovin kishin qenë gjithnjë të komplikuara, por pas grushtit të shtetit, Boris Jelcini ishte bërë violinë e parë në poliitikën ruse. Presidenti rus shfrytëzonte dekretin e janarit të vitit 1991 të parlamentit rus dhe kishte pushtet të plotë për të drejtuar transicionin në republikën ruse. Realisht në këto momente, vëmendja ishte spostuar nga Gorbaçovi i lëkundër dhe i pavendosur, te qëndrimi dhe vendimet që do të merrnin presidentët e republikave të veçanta. Në modelin sovjetik, partia kishte përparësi absolute ndaj organeve shtetërore, prendaj duke neutralizuar dhe goditur partinë, grupi jelcinian krijoi mundësi për të goditur dhe shpërbërë shtetin federal sovjetik. Jelcini e shfrytëzoi fitoren mbi puçistët për të ndaluar veprimtarinë e Partisë Komuniste në republikën ruse dhe detyroii M. Gorbaçovin të japë dorëheqjen nga posti i sekretarit të përgjithshëm.

M. Gorbaçovi, duke parë ecurinë e ngjarjeve, e kuptoi se nuk kishte kuptim të mbroje shtetin federativ. Ai dhe rrethi i bashkëpunëtorëve reformistë donin që të formohej Bashkësia e Shteteve të Pavarura. 

***Vijon në numrin e ardhshëm te gazetes Shqiptarja.com - Pergatiti për botim Dhurata Hamzai






Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Dr./Ass_Prof. Robert F. Tereziu, Francë Univ.TN: 21/08/2019 09:45

    Analize e persosur ne cdo detaj e pershkrim, sepse e njejta gje ndodhi edhe tek Ne, Komunistet e PPSH dhe Sigurimi i Shtetit na u konvertuan "Demokrate" me Parti pretendues si e "djathte", por qe rezultoi e vazhdon te jete Parti bisht e mentalitetit Komunist, plus Porvincial, pasi u kap nga provincializmi dhe jo qytetaria.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr

DOSJA/ 'Mami është mërzitur, nuk e keni falenderuar', fjalët e Megi Fetahut 'prekin' Suel Çelën: Për Pajtimen hidhemi të gjithë në zjarr