'Grushti i shtetit' në Moskë, shpërbërja e BRSS dhe prapaskenat e Jelcinit ndaj Gorbaçovit

'Grushti i shtetit' në Moskë, shpërbërja e BRSS dhe prapaskenat e Jelcinit ndaj Gorbaçovit

(Vijon nga numri i kaluar i Shqiptarja.com)

Në shtator të vitit 1991 u mblodh kongresi i deputetëve të popullit, në të cilin do të diskutohej për të ardhmen e shtetit federativ. Në kongres, Gorbaçovi, Jelcini e liderë të tjerë të organeve qendrore u gjendën përballë tendencave centrifugale të republikave të veçanta dhe nuk u arrit ndonjë përfundim për konstituimin e shtetit të ardhshëm. Më 15 nëntor 1991, traktati i shtetit konfederativ, i projektuar nga reformistët gorbaçovianë ishte gati për diskutim, por këtë dokument e sigluan vetëm shtatë republika.    Më 1 dhjetor 1991 populli ukrainas, me 90% të votave, u shpreh për pavarësinë e plotë të Ukrainës. Republika dëshironte që të zhvillohej si shtet i pavarur dhe të mënjanonte plotësisht çdo element të tutelës historike ruse. Pa Ukrainën në kushtet e atëhershme as që mund të kuptohej shteti federal. Në Republikën Federative Ruse u forcuan prirjet e organeve qendrore për ta konsideruar veten si vazhduese të institucioneve të mëparshme federative sovjetike. Më 22 nëntor 1991 parlamenti rus transferoi te Banka e Rusisë të gjithë bazën materiale dhe teknike të Bankës së Shtetit Sovjetik. Dukej që moto e ditës u bë të shpëtohej çfarë të mundej.

Presidenti Jelcin, prapa krahëve të Gorbaçovit, mbante kontakte me liderin ukrainas Kravçuk dhe me liderin bjellorus Shushkevic. Më 8 dhjetor, tre presidentët e republikave më të rëndësishme (Rusisë, Ukrainës, Bjellorusisë) shpallën deklaratën e Minskut. Në përputhje me këtë dokument, tri republikat themeluese të shtetit federativ njoftonin se BRSS-ja, si subjekt i ligjit ndërkombëtar dhe si realitet gjeopolitik, pushoi së ekzistuari. Tri republikat vendosën që të krijonin më vonë Bashkësinë e Shteteve të Pavarura, që do t’i shëmbëllente Komonuelthit britanik. Bashkësia u shpall më 21 dhjetor 1991 pas mbledhjes së përfaqësuesve të 11 republikave të pavarura.

 Gjithashtu federata ruse zuri vendin e BRSS-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

     Më 24 dhjetor M. Gorbaçovi shpalli dorëheqjen e tij si President i BRSS-së. I braktisur nga të gjithë bashkëpunëtorët e mëparshëm, Gorbaçovi lexoi para kamerave deklaratën e dorëheqjes, ku pranonte se “si pasojë e situatës së krijuar me formimin e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, unë ndërpres veprimtarinë time në postin e Presidentit të BRSS-së”. Pas kësaj, në kullën e Kremlinit u ul flamuri i kuq i shtetit sovjetik dhe u ngrit flamuri tradicional rus tringjyrësh (i bardhë, blu, i kuq). Kështu, de jure dhe de facto mori fund periudha e historisë sovjetike. Fundi zyrtar ishte parashikuar më 31 dhjetor 1991, por Jelcini dhe pasuesit e tij e përshpejtuan edhe këtë akt. Në datën 26 dhjetor, në fund të një mbledhjeje të Sovjetit Suprem të BRSS-së, që zgjati vetëm 40 minuta dhe ku morën pjesë vetëm 30 deputetë nga 542, u pranua zyrtarisht akti për fundin e BRSS-së. Shkatërrimi i shtetit federal sovjetik i dha fund historisë treshekullore dhe e ktheu vendin në përmasat dhe në pozitën ndërkombëtare që kishte në kohën e Pjetrit të Madh (1672-1725). Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik më 25 dhjetor 1991, shënoi fundin e një eksperimenti të jashtëzakonshëm politik, që u shtri thuajse gjatë gjithë shek. XX. Mori fund një ndër metamitet më të fuqishme të shek. XX. Në këtë mënyrë, sikurse pohon I. Brzezhinskij në veprën “Shansi i fundit i Amerikës”, flamujt e kuq të ulur në kullat e Kremlinit, lëshuan sinjalin jo vetëm të shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, por edhe të spazmave të fundit të një ideologjie perverse, që kishte kërkuar të arrinte dominimin global. Ky akt, që ishte dhe një ndër aktet më themelore të shek. XX, kishte domethënie shumëplanëshe. Në qoftë se në fushën teorike u bë evidente zbehja, stanjacioni dhe në fund falimentimi i alternativës së socializmit totalitar, posaçërisht në fushën ekonomike modeli i ekonomisë socialiste me drejtim të unifikuar nuk e përballoi dot konkurencën me ekonominë e lirë të tregut. Në fushën ndërkombëtare shpërbërja e BS-së i dha fund “luftës së ftohtë” dhe krijoi mundësi për zgjerimin dhe thellimin e proceseve të integrimit evropian sipas parimeve të Atlantikut. Në këtë mënyrë komunizmi sovjetik, sikurse ka pohuar F. Furie, vdes nga një dekompozim i brendshëm, ku Gorbaçovi ishte përshpejtuesi ndërsa B. Jelcini u bë likuiduesi i tij. Dikur, krijuesi i komunizmit shkencor Karl Marks, kishte theksuar se deri tani filozofët, në mënyra të ndryshme, e kanë shpjeguar botën por puna është ta ndryshosh atë. Gorbaçovi donte ta ndryshonte shoqërinë sovjetike, por nuk diti si ta ndryshonte komunizmin sovjetik. Perestrojka dhe glasnosti dështuan dhe bashkë me ta edhe komunizmi sovjetik. Kriza në shoqërinë sovjetike filloi si krizë ideologjike dhe u zhvillua si krizë shtetërore dhe ekonomike.

    Shpërbërja e bllokut lindor, kthesa e madhe bashkimi i Gjermanisë

Shpërbërja e bllokut lindor krijoi mundësi të ripërtërihej sistemi demokratik në Evropën Lindore dhe të fillonte procesi i kalimit nga ekonomia e planifikuar socialiste në ekonominë e tregut. Sidomos moment kthese ishte bashkimi i Gjermanisë në vitin 1990. Të gjitha këto krijuan mundësi që Tregu i Përbashkët të shtrihej në Evropën Lindore dhe në vitin 1992 të krijohej Bashkimi Evropian.

     Në kuadrin e zhvillimeve politike dhe të transicionit ngjarjet e vitit 1991, e sidomos grushti i shtetit, japin shkas për interpretime nga më të larmishmet. Qëndrimi që mbajtën ndaj grushtit të shtetit forcat apo grupet e ndryshme, shpreh në vetvete gjendjen e transicionit, ku jo të gjithë ishin të qartë se ç’ndodhte dhe cila ishte perspektiva. Kështu, me gjithë ecurinë e proceseve demokratike dhe glasnostit, shtypi foli shumë pak ose më mirë, qëndroi i heshtur ndaj puçistëve. Veç kësaj, kur struktura të shtetit dhe një pjesë e udhëheqjes së lartë të partisë organizuan grushtin, përse nuk reaguan struktura të tilla të rëndësishme të shtetit, si Sovjeti Suprem dhe organe të tjera, kur shihnin se presidenti izolohej dhe shkelej kushtetutshmëria. Kjo donte të thoshte se procesi i demokratizimit kishte mjaft dobësi. Është e vërtetë që në Moskë demokratët me në krye B. Jelcinin reaguan, por shoqëria duhet parë siç ishte në atë periudhë. Vetë lideri komunist M. Gorbaçov, ishte një figurë kontradiktore me qëndrime të dyzuara, herë liberale e herë konservatore. Në Rusi nuk kishte as ide të qëndrueshme dhe as institucione demokratike. Për sa kohë nuk ekzistojnë këta dy faktorë, prirjet autoritariste e diktatoriale janë dukuri të mundshme në jetën politike të çdo vendi.

     Në Rusi kishte rëndësi të veçantë qëndrimi i nomenklaturës partiake e shtetërore pasi në vend nuk kishte parti opozitare me një program të qartë reformist. Në këto rrethana merrte theks të veçantë qëndrimi i funksionarëve shtetërorë, të cilët pasi panë rënien e Gorbaçovit përgjithësisht u hodhën në krahët e Jelcinit. Ata nuk ishin as demokratë dhe as liberalë, por në çdo rrethanë synonin të mbronin interesat e tyre në kushtet e transicionit politik dhe ekonomik. Nomenklatura synonte tipin e reformave që do të njihnin dhe respektonin interesat e saj. Për më tepër në ngjarjet e grushtit të shtetit ka ende elementë të errët për ecurinë e ngjarjeve. Qysh në ditët e para është folur se izolimi i Gorbaçovit, krijimi i Komitetit të Jashtëzakonshëm, si edhe shpallja e Janjajevit president, kanë qenë një skenar i përpunuar nga vetë Gorbaçovi. Ishte llogaritur që në rast se puçistët do të kishin sukses, do të ndalohej zhvillimi i mëtejshëm i proceseve demokratike, në rastin e kundërt Gorbaçovi do të dilte si viktimë dhe do të mbetej përsëri kryetar shteti. Është e paqartë se çfarë kërkonte delegacioni i Komitetit të Jashtëzakonshëm në bisedimet e Krimesë me Gorbaçovin, kur e kishte shkarkuar atë nga funksionet e larta shtetërore. E ardhmja do të hedhë dritë mbi këto momente. Gjithsesi rrjedha e ngjarjeve ishte e tillë që konservatorët dështuan dhe proceset demokratike ishin të pandalshme. Grushti i shtetit nuk mund të zgjidhte asnjë nga problemet që kishte shteti dhe ekonomia sovjetike. Jo vetëm që nuk u ruajt qoftë edhe formalisht uniteti, por lindën 15 shtete të pavarura. Një vlerësim disi të veçantë ka për ngjarjet e gushtit 1991 studiuesi amerikan Nichollas Riasanovsky në veprën “Historia e Rusisë”. Sipas tij nuk ishte fjala për një grusht shteti, por për një manovër autoritare që do të zgjidhte me rrugën e forcës konfliktin që kishte paralizuar prej kohësh rrethet e larta të shtetit sovjetik. Sipas Riasanovskyt puçistët nuk kërkonin që të fitonin pushtet, por ta ushtronin atë pasi zyrtarisht ishin titullarë të tij. Kjo u duk edhe në strategjinë që u ndoq. Duke parë evolucionin e situatës sovjetike në vitet e fundit, burokracia partiake, shtetërore dhe ushtarake kishte krijuar bindjen se në Moskë kishte dy pushtete: a) pushteti i Komitetit të Jashtëzakonshëm dhe b) pushteti i Presidentit Jelcin dhe i pasuesve të tij në Federatën Ruse.

     Mungesa e M. Gorbaçovit gjoja për arsye shëndetësore, i dha pësore, i dha përparësi mendimit për të vepruar me prudencë. Manifestimet e mëdha në Moskë, Leningrad etj., përcaktuan që burokracia konservatore t’i jepte fund manovrave autoritare. Në fakt, fundi i Bashkimit Sovjetik mund të siglohej qysh në momentin kur Jelcini ndaloi veprimtarinë e Partisë Komuniste.

(Vijon në numrin e ardhshëm) /Përgatiti për botim Dhurata Hamzai/


Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë