Guaido: Duhet të shqyrtojmë të gjitha mundësitë për të çliruar Venezuelën

Guaido: Duhet të shqyrtojmë të gjitha mundësitë për të çliruar Venezuelën

Të paktën katër civilë u vranë të shtunën pasi që forcat e sigurisë së Venezuelës u përleshën me demonstruesit në kufirin me Brazilin, për shkak të ndihmave humanitare.

“Ngjarjet e sotme më detyrojnë që të vendos t’i propozoj bashkësisë ndërkombëtare se duhet të lëmë hapur të gjitha mundësitë për të siguruar lirinë për vendin tim”, shkroi të shtunën vonë në rrjetet sociale, udhëheqësi opozitar venezuelas Juan Guaido, president i përkohshëm i Venezuelës.

Po ashtu të shtunën vonë, nënpresidenti amerikan, Mike Pence, publikoi planet për ta takuar Guaidon të hënën në Bogota. Nënpresidenti Pence pritet t’i drejtohet Grupit Lima, të udhëheqësve rajonal në Kolumbi të hënën ku edhe do të takohet me zotin Guaido. Ai mund të shpallë atje edhe sanksionet e reja ndaj regjimit në Venezuelë.

“Foro Penal” (Forumi Penal) një grup që vëzhgon dhunën në Venezuelë, raportoi për katër të vdekur të shtunën. Sipas grupit ata u vranë nga anëtaret e milicisë pro qeveritare në Santa Elena de Uairen, afër kufirit me Brazilin.

Zëdhënësi i grupit, Alfred Romero, postoi edhe një video në twitter, duke theksuar se më shumë se një duzinë janë plagosur gjatë dhunës.

Në një pikë kufitare, një kamion ndihmash morri flakë dhe turma u hodh në përpjekje për të shpëtuar pakot me ushqime dhe pajisje mjekësore.

Të shtunën vonë, senatori amerikan, Marco Rubio, shkroi në twitter se një ligjvënës venezuelas dhe ndihmësi i tij janë helmuar. Ndihmësi vdiq, sipas postimit të senatorit, ndërsa ligjvënësi është “në gjendje të rëndë”.

Zyrtarët e Kolumbisë thanë se më shumës e 60 ushtarë venezuelas dezertuan të shtunën.

Majori i ushtrisë së Venezuelës, Hugo Parra, shpalli dezertimin të shtunën, duke i thënë VOA Noticias se ai e njeh udhëheqësin e opozitës Juan Guaido si president të ligjshëm të Venezuelës.

Juan Guaido mirëpriti veprimet e ushtarëve në një shkrim në twitter.

“Ata nuk janë dezertorë”, tha ai. “Ata vendosën të vihen në anën e popullit dhe kushtetutës”.

Presidenti i diskutueshëm, Nicolas Maduro, shpalli në një fjalim para mbështetësve të tij të shtunën se do të presë lidhjet diplomatike me Kolumbinë. Presidenti i Kolumbisë, Ivan Duque, u paraqit së bashku me zotin Guaido të shtunën derisa po punonin për të dërguar ndihma në Venezuelë.

Presidenti Duque tha se ambasadorët dhe konsujt e Kolumbisë kanë 24 orë afat për t’u larguar nga Venezuela.

Ministri i Jashtëm u Kolumbisë, Carlos Holms Trujillo, lëshoi një deklaratë në të cilën thuhet se “Kolumbi e mban përgjegjës uzurpatorin Maduro për çfarëdo sulmi apo shkeljeje të të drejtave të zyrtarëve kolumbian në Venezuelë”.

Maduro tha po ashtu se do të mbrojë pavarësinë e Venezuelës me jetën e tij. Ai e cilësoi Guaidon si kukull të Shtëpisë së Bardhë.

Ai tha që nëse Shtetet e Bashkuara e sulmojnë vendin e tij “do të përballen me fuqinë e forcave të armatosura të Venezuelës”.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, shprehu mbështetjen ndaj zotit Guaido.

Më herët të shtunën, Juan Guaido, deklaroi se ngarkesa e parë e ndihmës humanitare ka arritur në Venezuelë nga kufiri i saj jugor me Brazilin.

"Kjo është një arritje e madhe, Venezuela!”, shkruante zoti Guaido në Twitter të shtunën.

Një zyrtar i Departamentit të Shtetit që po udhëton me autokolonën e ndihmës i tha Zërit të Amerikës se ngarkesa me ushqim dhe artikuj mjekësorë nga qeveria amerikane dhe ajo braziliane, ishte mbajtur në një bazë ushtarake në Bao Vista të Brazilit.

Në qytetin Urena, pati përplasje të shtunën gjatë ditës mes trupave të Gardës Kombëtare venezueliane dhe banorëve që po zhbllokonin një urë që lidh Venezuelën me Kolumbinë për të lejuar ndihmën humanitare të hynte në Venezuelë nga Kolumbia. 

Një zyrtar shëndetësor në Urena i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se të paktën 24 veta janë plagosur.

Grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International i bëri thirrje të shtunën Venezuelës që t’u jap fund sulmeve ndaj qytetarëve, duke thënë se sulmet e tilla janë shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut.

Me gjithë inflacionin e lartë dhe mungesat ushqimore, presidenti i kontestuar Nicolas Maduro ka refuzuar ofertat e ndihmave duke deklaruar se Venezuela nuk është vend “lypësish” dhe duke këmbëngulur se ndihma është hapi i parë i një pushtimi amerikan.

Por Guaido, që është vetëshpallur president dhe është njohur nga Shtetet e Bashkuara, premtoi se do të siguronte lejimin e hyrjes së ndihmave në vend. Turma njerëzish ndenjën jashtë gjithë natën për të ndihmuar me shpërndarjen.

Më shumës e 3 milionë veta kanë braktisur Venezuelën për shkak të krizës politike dhe ekonomike që nga viti 2015. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare

Rusia anashkalon sanksionet perëndimore, fillon përdorimin e Bitcoin në tregtinë ndërkombëtare