‘Gulf’ mashtroi shtetin, kaos për evazionin fiskal dhe tenderat e fituar

‘Gulf’ mashtroi shtetin, kaos për evazionin fiskal dhe tenderat e fituar

Pikë karburanti 'Gulf'

Përveç mashtrimit të disa mijëra qytetarëve konsumatorë, të cilët janë joshur nga ana e kompanisë “Gulf” me çmime të lira - jonormale për tregun – për të blerë tallona nafte e benzine, kompania e shitjes së karburanteve me pakicë “Gul Oil Albania” ka krijuar probleme edhe për shtetin shqiptar.

Institucionet
Sipas burimeve të Shqiptarja.com, janë disa institucione, të cilat kanë lidhur kontrata furnizimi me këtë kompani, pasi kanë kaluar nëpër proceset e tenderimit, për të blerë karburant për automjetet që kanë në dispozicion. Por tani edhe këtyre institucioneve kompania “Gulf” nuk po u përgjigjet, ashtu si edhe konsumatorëve të thjeshtë, të cilët kanë gjetur pikat e karburanteve mbyllur, kur kanë shkuar me tallona në duar për të furnizuar makinat e tyre. Drejtues të niveleve të ulta të kompanisë kanë komunikuar me zyrtarët e shtetit, duke u munduar t’i sqarojnë se një numër pikash janë të mbyllura nga Tatimet për shkak të gjobave të papaguara. Ndërsa, nga ana tjetër, pika të tjera kanë ndryshuar pronësi, duke krijuar një problem të dytë. Pronarët e rinj të pikave nuk njohin tallonat e lëshuara nga kompania që ka mbyllur dyert. Në këtë rast, shteti duhet të gjejë rrugë të tjera alternative për të mos dalë “me gisht në gojë”, por deri tani nga ministria e linjës, ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, ende nuk është dukur asnjë vendim për zgjidhjen e situatës.

Punonjës pranë kësaj ministrie sqaruan, gjithsesi, se kontratat e lidhura mes institucioneve dhe “Gulf”-it nuk janë me parapagim, por ato nënkuptojnë shlyerjen e faturave sipas konsumit. Por nuk është ende e qartë nëse institucione të ndryshme i kanë parapaguar blloqet e tallonave, të cilat tashmë rrezikojnë të kthehen në letra pa pikë vlere.

Taksat
Nga ana tjetër, shteti është mashtruar për një kohë të gjatë nga kjo kompani, e cila ka krijuar një “gropë” të konsiderueshme duke mos paguar TVSH, apo kontributet e punonjësve, çka nënkupton edhe gjoba të rënda, të cilat gjithashtu nuk janë përfillur nga drejtuesit dhe pronarët e subjektit në fjalë, deri në atë pikë që Tatimet kanë kaluar në sekuestrimin e objekteve të tij. Sipas kërkesës së dorëzuar nga Tatimet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ku i kërkohet kësaj të fundit të mos lejojë tjetërsimin e mbi pasuritë dhë të drejtat pasurore që i përkasin këtij tatimpaguesi, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve tatimore, rezulton që detyrimi i krijuar nga kompania, përfshirë interesa dhe gjoba është 40.7 milionë lekë, ose rreth 300 mijë euro. Pjesën më të madhe të këtij detyrimi, me rreth 66% të totalit, e përbën TVSH e papaguar (27.5 milionë lekë), e ndjekur nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit me 6.5 milionë lekë, ose rreth 50 mijë euro, një shumë që në fakt u takon punonjësve që kanë punuar në këtë kompani.

Në të njëjtën shumë është dhe detyrimi për tatimin e mbajtur në burim, ndërsa për tatim fitimin ka vetëm një gjobë prej 10 mijë lekësh.

Tatimet pohojnë se subjektit i është dërguar njoftimi dhe kërkesa për të paguar, por ai nuk ka paguar asnjëherë as detyrimin dhe as penalitetet.

Kompania
Gul Albania ka organizuar më 23 qershor 2014 ceremoninë e inaugurimit të veprimtarisë së saj në tregun shqiptar të hidrokarbureve, në autostradën Tiranë-Durrës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtori i përgjithshëm i Gulf Albania, Guram Gogeshvili; ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta; ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregëtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj; ish-ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe ish-ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto. Gulf Albania hyri në tregun vendas me pretendimin se përfaqësonte në Shqipëri markën ndërkombëtare Gulf Oil International me anë të kompanisë Sun Petroleum Albania shpk, që shumë shpejt “do të bëhej një lider në tregun shqiptar të hidrokarbureve”. Një pretendim që në të kaluarën është dëgjuar edhe nga kompani të tjera, tashmë të harruara.

Sun Petroleum Albania ka qenë shpërndarësi zyrtar i Gulf Oil International në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Sun Petroleum Albania Group ka një marrëveshje shpërndarje 15-vjeçare me kompaninë e huaj Gulf Oil International dhe deklaronte në hapje të aktivitetit se kishte në plan që ta zgjeronte aktivitetin e shitjes në të gjithë rajonin e Ballkanit, duke hapur dhe drejtuar deri në 200 stacione furnizimi për një afat dyvjeçar.

Kurse vetë Gulf Oil International u themelua në Texas, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 1901 dhe tani është e pranishme në më shumë se 100 vende, e fokusuar tek lubrifikantët dhe produktet e hidro-karbureve, me degë në Azi, Evropë, Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut. E blerë nga Chevron në 1984, Gulf Oil International është një kompani e fuqishme me veprimtari që përfshijnë kërkimet, prodhimin, transportin, rafineritë dhe marketingun. Por asnjë në Shqipëri nuk e ka të qartë lidhjen direkte të kësaj kompanie me Gulfin shqiptar, veç emrit.

Tregu i hidrokarbureve
Shqipëria ka pasuri të shumta natyrore me naftë, teksa fusha e Patos Marinzës është më e madhja në tokë (on shore) në Europë. Por, shqiptarët historikisht kanë pasur përfitime minimale nga kjo pasuri, në një kohë që koncesionarët, një pjesë e të cilëve kanë qenë ose janë nga “parajsat fiskale”, vijojnë ende të rezultojnë me humbje (ndonëse nënkontraktorët e tyre kanë deklaruar fitime të larta). Nga ana tjetër vijojnë e blejnë në pikat e pakicës naftë, që është ndër më të shtrenjtat në Europë dhe për të cilën nuk ka as garanci cilësie. Vitin e fundit u shtuan dukshëm makinat që nxjerrin tym të zi nëpër rrugë. 

Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani. Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjellta apo shit-blerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies.

Ikja e kompanisë Sun Petroleum (shumicë e pakicë), e cila tregtonte karburant në pikat e Gulf dhe ndërpreu aktivitetin, pasi kishte shitur qindra tollona, ka hapur sërish kutinë e Pandorës në tregun e naftës në Shqipëri. Aktorët e tregut pohojnë se në pikat e pakicës së Gulf është tregtuar nafta e rafinerisë ARMO, e cila ka punuar deri në fund të nëntorit të vitit të kaluar. ARMO shfrytëzohej nga kompania IRTC (edhe kjo një offshore) që prej tetorit të vitit 2016 dhe e ndërpreu aktivitetin në nëntor 2017, pasi Bankers Petroleum, që e furnizonte me naftë bruto ndërpreu marrëdhënie për shkak të mospagesave. Në momentin që ndërpreu aktivitetin, IRTC kishte rreth 30 milionë euro detyrime të papaguara, sipas burimeve zyrtare të tatimeve në një material për Komisionin e Ekonomisë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja