Vllaznia dhe Tirana luajnë nesër në 18:00 për javën e 30-të në Superligë. 'Klasikja' e futbollit shqiptar pritet të mbushë "Loro Boriçin", me kapitenin e vendasve që për mediet ka thënë se ky është sezoni i tij i fundit me kuqeblutë pasi i skadon kontrata. Erdenis Gurishta ka bërë edhe një bilanc për ndeshjet e luajtura kundër bardhebluve këtë sezon.
"Rikthim në fushë pas një jave? Nuk isha mësuar të shikoja ndeshjen nga tribuna, ishte ndeshje që mungoja për shkak të kartonave. Rikthehem të ndihmoj ekipin dhe për atë që të gjithë kërkojmë. Afrimi i trajnerit të ri vjen në fund të kampionatit, nuk është e lehtë që të fusë idetë e tij. Në stërvitje kemi shumë optimizëm dhe kjo është gjë e mirë. Koha do e tregojë sesa vlen ky trajner", tha kapiteni i shkodranëve fillimisht.
Më pas Gurishta u ndal te "Klasikja" me Tiranën, duke treguar se në ndeshjet e fundit kanë marrë dy fitore dhe një barazim.
"Klasikja? Në ndeshje të tilla nuk shikohet renditje, nuk ka favorit. Lojtarët duan ta luajnë dhe futbollistët ta luajnë. Diferenca me 11 pikë do tregohet në fushë nëse është apo jo reale. Unë jam i motivuar, duam të marrim maksimumin. Të jemi të përqënduar dhe të përballemi me ato që na sjell dueli. Tirana është me meritë aty ku është por nuk e kemi frikë. Tre ndeshjet e fundit kemi fituar dy herë dhe kemi marrë një barazim", vijoi Gurishta.
Më pas kapiteni trembi drejtuesit, duke thënë se ky është viti i fundit me fanellën e Vllaznisë, duke lënë të kuptohet se për momentin nuk ka asnjë ofertë për rinovim.
"Objektivi? Të jemi në Europë, ky është minimumi. Të kalojmë Tiranën dhe më pas të mendojmë për Kupën.
Kontrata? Është viti i fundit me Vllazninë. Në fund të sezonit me mbaron kontrata dhe do ulemi me drejtuesit të flasim", tha Gurishta.
Lajmi kryesor: