'Klasikja' me Tiranën, Sedloski: Vllaznia s'ka nevojë për motivim, më ngrohin rikthimet

Superliga shqiptare e futbollit nis nesër javën e 30-të. Në orën 18:00 në "Loro Boriçi" të Shkodrës, Vllaznia pret Tiranën në 'Klasiken' e futbollit shqiptar. Përpara ndeshjes për mediet foli trajneri i vendasve, Goce Sedloksi. Trajneri nga Maqedonia e Veriut tregoi se ky duel s'ka nevojë për motivim, ndërsa flet edhe për rikthimin e Hakajt dhe Gurishtës. Pas trajnerit, për mediet foli edhe kapiteni Erdenis Gurishta.

"Klasikja me Tiranën? Është një ndeshje që kërkon shumë impenjim. Kundërshtari është i fortë dhe ne duhet të jemi të guximshëm dhe të kujdesshëm. Të vrapojmë shumë në terren, lojtarët e dinë se çfarë pres prej tyre. Puna kalon më mirë çdo ditë, jetojmë si një familje. Nesër do bëjmë një ndeshje të mirë dhe do fitojë ai që shprehet më mirë. Dimë që janë të parët në tabelë, e respektojmë kundërshtarin. Unë si trajner dua futboll sulmues. Ata nuk janë rastësisht në krye të tabelës, luajnë shumë në sulm. Ne të kemi pozicionin tonë për t'ia dalë. Lojtarët duhet të jenë të përgatitur fizikisht dhe mos kemi dëmtime. I bëj thirrje tifozëve për të na motivuar, kanë një domethënie të madhe për ekipin. Lojtarët ta kthejnë këtë me një paraqitje të mirë", tha trajneri maqedonas fillimisht.

Më pas Sedloski u ndal edhe te objektivi sezonal, rikthimet e Gurishtës dhe Hakaj dhe forma e Kristian Vulaj-t.

"Objektivi? Të ecim ndeshje pas ndeshje. Duam ta kemi vëmendjen te Tirana, nuk ka nevojë për motivim sepse e dimë çfarë duam. Është larg për të folur për fundin e sezonit. Çdo ndeshje e radhës do jetë si finale për ne.

Gurishta dhe Hakaj të rikthyer? Janë lojtarët tanë kryesorë, nuk dua t'i lavdëroj shumë. Kanë standard të lartë, e dimë çfarë vlere kanë për ekipin dhe gëzohem që i kam gati.

Vulaj? Ka luajtur 30 minuta në ndeshjen e fundit, ka bërë stërvitje të mirë. Çdo lojtar e fillon nga zero, do e kenë të gjithë shansin. Tjetër gjë stërvitja dhe tjetër ndeshja. Kemi ndeshje të dendura si kalendar. Po provojmë disa variante me futbollistët", tha Goce Sedloski.

Pas javës së 29-të të sezonit, Tirana me 53 pikë është në krye të klasifikimit, teksa Vllaznia me 42 pikë në vendin e katërt.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:42
Gurishta: Viti im i fundit me Vllazninë, koha do e tregojë sa vlen trajneri i ri

Vllaznia dhe Tirana luajnë nesër në 18:00 për javën e 30-të në Superligë. 'Klasikja' e futbollit shqiptar pritet të mbushë "Loro Boriçin", me kapitenin e vendasve që për mediet ka thënë se ky është sezoni i tij i fundit me kuqeblutë pasi i skadon kontrata. Erdenis Gurishta ka bërë edhe një bilanc për ndeshjet e luajtura kundër bardhebluve këtë sezon.

"Rikthim në fushë pas një jave? Nuk isha mësuar të shikoja ndeshjen nga tribuna, ishte ndeshje që mungoja për shkak të kartonave. Rikthehem të ndihmoj ekipin dhe për atë që të gjithë kërkojmë. Afrimi i trajnerit të ri vjen në fund të kampionatit, nuk është e lehtë që të fusë idetë e tij. Në stërvitje kemi shumë optimizëm dhe kjo është gjë e mirë. Koha do e tregojë sesa vlen ky trajner", tha kapiteni i shkodranëve fillimisht.

Më pas Gurishta u ndal te "Klasikja" me Tiranën, duke treguar se në ndeshjet e fundit kanë marrë dy fitore dhe një barazim.

"Klasikja? Në ndeshje të tilla nuk shikohet renditje, nuk ka favorit. Lojtarët duan ta luajnë dhe futbollistët ta luajnë. Diferenca me 11 pikë do tregohet në fushë nëse është apo jo reale. Unë jam i motivuar, duam të marrim maksimumin. Të jemi të përqënduar dhe të përballemi me ato që na sjell dueli. Tirana është me meritë aty ku është por nuk e kemi frikë. Tre ndeshjet e fundit kemi fituar dy herë dhe kemi marrë një barazim", vijoi Gurishta.

Më pas kapiteni trembi drejtuesit, duke thënë se ky është viti i fundit me fanellën e Vllaznisë, duke lënë të kuptohet se për momentin nuk ka asnjë ofertë për rinovim.

"Objektivi? Të jemi në Europë, ky është minimumi. Të kalojmë Tiranën dhe më pas të mendojmë për Kupën.

Kontrata? Është viti i fundit me Vllazninë. Në fund të sezonit me mbaron kontrata dhe do ulemi me drejtuesit të flasim", tha Gurishta.

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë