Depozitat bankare regjistruan një rritje rekord gjatë muajit gusht, me mbi 15 miliardë lekë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, sezoni veror edhe këtë vit rezultoi si një periudhë mjaft pozitive për zgjerimin e depozitave bankare.

Kjo është një tendencë e zakonshme sezonale për këtë periudhë, e lidhur me të ardhurat nga emigrantët dhe nga turizmi.

Gjatë muajve korrik dhe gusht, në sistemin bankar u shtuan 19 miliardë lekë depozita. Kjo e çoi rritjen vjetore të gjendjes së depozitave në afro 1.6% në fund të gushtit. Rritja ka ardhur e gjitha në valutë të huaj, çka dëshmon se burimi janë kryesisht të ardhurat nga jashtë.

Totali i depozitave në valutë, i konvertuar nga statistikat e bankës qendrore, arriti në vlerën e 517 miliardë lekëve, rreth 22 miliardë lekë më shumë krahasuar me fundin e korrikut.

Ndërkohë, depozitat në lekë u pakësuan me afro shtatë miliardë lekë, duke zbritur në vlerën e 478 miliardë lekëve.

Tashmë, depozitat në valutë janë qartësisht në shumicë kundrejt atyre në lekë, pavarësisht se normat e interesit për euron janë praktikisht zero, në nivele edhe më të ulëta krahasuar me lekun.
 
Kredia
Ndërkohë, huaja për ekonominë është futur në ngërç prej gati dy vitesh, pavarësisht përpjekjeve të ethshme të Bankës së Shqipërisë, që ka ulur normën bazë në nivele minimale historike. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në gusht, stoku i kredisë për ekonominë arriti në 550.5 miliardë lekë, me një rritje fare të lehtë në raport me muajin e mëparshëm, prej 884 milionë lekësh. Me bazë vjetore, huaja për ekonominë ka mbetur pothuajse në vend, ajo është rritur vetëm me 0.1%.

I vetmi segment që po kreditohet është ai i individëve. Me bazë vjetore, kredia për individë është rritur me 4.2 miliardë lekë, apo me rreth 2.6%. Në të kundërt, huaja për bizneset është reduktuar me 4.7 miliardë lekë, apo rreth 1.2%. Tkurrjen më të lartë e ka shënuar  ajo në valutë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se huat me probleme për biznesin vlerësoheshin në 24.4% në fund të qershorit, duke u rritur me 3% në krahasim me dhjetorin 2015, ndonëse është ulur me 0.5% në raport me një vit më parë.

Raporti i kredive me probleme për bizneset në valutë është përkeqësuar, duke qëndruar në nivelin e 25.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Në të kundërt, kredia me probleme për individët është përmirësuar, duke u ulur me 2.9%, në 12% në fund të 6-mujorit.


Detaje
 
Valuta

Kursimet rriten në valutë. Ndërkohë që depozitat në lekë u pakësuan me afro shtatë miliardë lekë, duke zbritur në vlerën e 478 mld lekëve.
 
 
Kredia
Huat me probleme për biznesin vlerësoheshin në 24.4% në fund të qershorit, duke u rritur me 3%. Në të kundërt, kredia me probleme për individët është përmirësuar, duke u ulur me 2.9% në fund të 6-mujorit.
 
Kursimet
Sipas statistikave të bankës qendrore, totali i depozitave në valutë, i konvertuar, arriti në vlerën e 517 miliardë lekëve, rreth 22 miliardë lekë më shumë krahasuar me fundin e korrikut të po këtij viti.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com