Guvernatori i Bankës së Kosovës: Tarifa 100% ndaj mallrave serbe rrit inflacionin

Guvernatori i Bankës së Kosovës: Tarifa 100% ndaj mallrave serbe rrit inflacionin

Këtë vit Kosova pritet të ketë rritje ekonomike, por jo mjaftueshëm sa për të ulur nivelin e papunësisë, thotë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai foli për faktorët që nuk po lejojnë Kosovën të ketë rritje më të lartë sesa 4 për qind. Problem tjetër për ekonominë e Kosovës është disbalanca midis importit dhe eksportit. Guvernatori i BQK-së foli edhe për ndikimin që ka në ekonominë e Kosovës tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe, e cila siç thotë ai, ndikoi në rritje të inflacionit.

Zoti Mehmeti, parashikimet e Bankës Botërore flasin për një rritje ekonomike gjatë këtij viti deri në 4 për qind në Kosovë. A është kjo e mjaftueshme për të ulur nivelin e papunësisë?
Nëse e shohim defiçitin e lartë tregtar, që ka ndikuar negativisht e që shënon thellim edhe të mëtutjeshëm me të dhënat e fundit që kemi në dispozicion, po flas me të dhënat e korrikut të vitit 2019, kemi një rritje të defiçitit tregtar për 3.8 për qind. Por edhe në vitin 2018 është një prej faktorëve që ka ndikuar negativisht në rritjen ekonomike në Kosovë. Po ashtu edhe papunësia e lartë që është një prej atyre faktorëve që ka ndikuar negativisht në rritjen ekonomike në Kosovë për vitin 2018. Vazhdon të jetë sfidë dhe të ndikojë në rritjen ekonomike në Kosovë, prandaj, është një rritje për t’u vlerësuar rritja prej 4 për qind. Nëse e krahasojmë me vendet e rajonit është më e larta si rritje ekonomike. Por nuk është e mjaftueshme për të adresuar sfidat që ka Kosova që në këtë rast është defiçiti i lartë tregtar dhe papunësia. Marrë në konsideratë këto dy sfida që i përmenda më lartë, nevojitet që të kemi rritje ekonomike 6 deri 7 për qind, e që nuk është vështirë të arrihet kjo shifër.

Banka juaj ka vlerësuar se për vitin 2018, vlera e importeve ishte mbi 3 miliardë euro, kurse eksportet 350 milionë euro. A është shqetësuese një disbalancë e tillë?
Unë po flas, meqenëse të dhënat që i përmendët ju janë faktike, nuk do t’i përsëris prap. Meqenëse kemi edhe të dhënat e rifreskuara që janë të korrikut të 2019-ës. Ngjashëm vazhdon. Po flas për të dhënat e vitit 2019, gjegjësisht korrikut të vitit 2019, vlera e eksporteve shënon diku rreth 250 milionë euro me një rritje vjetore prej 9.8 për qind. Në anën tjetër importet shënojnë 2.25 miliardë euro, ose me një rritje vjetore prej 4.4 për qind. Në total kemi një thellim të defiçitit tregtar prej 3.8 për qind që edhe një herë po e them negativisht në rritjen ekonomike në Kosovë.

Zoti Mehmeti, organizata si Fondi Monetar Ndërkombëtar ka tërhequr vërejtjen vazhdimisht për trysninë që po ushtrohet nga skemat sociale mbi buxhetin e Kosovës. Si po përballeni me këtë situatë?
Ju e dini se Banka Qëndrore dhe unë si Guvernator jemi këshilltarë të qeverisë së Kosovës dhe vazhdimisht këshilla jonë edhe për qeverinë e kaluar edhe atë të ardhshme është që të jenë të kujdesshëm në menaxhimin e skemës sociale. Marrë parasysh se këto krijojnë shpenzime afatgjata, të cilat më pastaj do të jenë edhe barrë afatgjatë për buxhetin e Kosovë. Prandaj këshilla jonë është që të kemi një menaxhim më të mirë dhe adekuat të këtyre skemave sociale. Edhe një herë po them marrë parasyshë faktin se krijojnë shpenzime afatgjate.

Sipas vlerësimeve që i keni bërë edhe ju, borxhi i përgjithshëm publik i Kosovës është mbi një miliard euro. A është i përballueshëm për Kosovën një shkallë e tillë?
Borxhi publik arrin diku rreth 1 miliard euro. Nëse e shohim në raport me GDP-në, është diku rreth 17 për qind e GDP-së. Është mjaft e ulët nëse e krahasojmë me vendet e rajonit dhe me atë që e lejon ligji. Sepse ligji e lejon që 40 për qind në raport me GDP-në të jetë borxhi publik. Ka hapësirë që të rritet ende borxhi publik, nuk është shqetësues, është në nivel shumë të ulët. Por ajo që është me rëndësi të potencoj është fakti që borxhi publik duhet të dihet për çka mirret dhe gjithmonë të mirret me qëllim që të ketë vlerë të shtuar. Prandaj nuk duhet të merret ndonjë borxh për aktivitete të cilat nuk shtojnë vlerë për ekonominë. Prandaj e konsideroj që është mirë dhe ka hapësirë dhe është ulët, mirëpo unë më shumë do ta fokusoja dedikimin e borxhit public në drejtim të aktiviteteve që kanë vlerë të shtuar për ekonominë e vendit.

Kritikët thonë se shkalla e lartë e korrupsionit në vendin tuaj është bërë pengesë për ardhjen e investimeve të huaja të qëndrueshme. A ndani edhe ju të njejtin mendim?
Nëse i shohim të dhënat e fundit të korrikut 2019, investimet e huaja direkte kanë shënuar një rritje diku rreth 23.8 për qind dhe pritjet janë që të kemi rritje dhe pritjet janë që të kemi rritje të mëtutjeshme të investimeve në Kosovë. Nëse e shohim sektorin bankar…

Por sa janë të qëndrueshme këto investime të huaja? Sa janë të qendrueshme dhe sa kanë krijuar mundësi për hapje të vendeve të reja të punës?
Po flas për sektorin financiar. Është një prej sektorëve që konsiderohet dhe është histori suksesi për investimet e huaja. Nëse flasim vetëm për sektorin bankar, prej 10 bankave që kemi në Kosovë, 8 banka janë me kapital të huaj dhe që i përbëjnë diku rreth 90 për qind në total të aseteve në sektorin bankar. Ngjashëm e kemi edhe te sektorët tjerë, te sektori i sigurimeve dhe institucioneve mikrofinanciare, të institucioneve financiare jobankare e kështu me radhë. Prandaj kjo të lë të kuptosh që ne kemi në vazhdimësi kërkesa prej investitorëve të huaj që të jenë akter në tregun financiar në Kosovë dhe janë investime të qëndrueshme.

Çfarë ndikimi kanë patur në ekonomi tarifat 100% ndaj mallrave serbe?
Nëse e shohim inflacionin, po flas me korrikun e vitit 2019, ka një rritje të inflacionit që arrin në 3.1 për qind. Është shumë i lartë nëse e krahasojmë me atë të para një viti që ka qenë 0.6 për qind. Këtu ka ndikuar që të kemi rritje të indeksit të cmimit edhe nga importet që shënojnë rreth 3.9 për qind. Mirëpo gjithmonë duhet të kemi parasysh faktin që ka ndikuar edhe aplikimi I taksës në rritjen e inflacionit në Kosovë.

Muajin e ardhshëm Banka Qendrore e Kosovës shënon 20 vjetorin e punës së saj. Cila është situata e sektorit financiar dhe bankar të Kosovës në këtë përvjetor?
Kemi organizuar një konferencë ndërkombëtare ku do të marrin pjesë përfaqësues të të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Ne kemi bërë një studim lidhur me qeverisjen korporative të bankave komerciale në dekadën e fundit, një studim ky i pari i këtij lloji të cilin do ta shpalosim gjatë konferencës. Po ashtu kemi krijuar një bazë të dhënash historike për vitet e fundit që lidhen me zhvillimet e qeverisjes korporative. Do të jetë kjo bazë e dhënash edhe për bankat e rajonit më pastaj presim që gjatë konferencës të nënshkruhet një marrëveshje shumëpalëshe mes Bankës Qëndrore të Kosovës dhe Bankave Qëndrore të rajonit. Sa u përket indikatorëve, gjatë këtij 20 vjetori kemi arritje të shumta. Nëse flasim për sektorin financiar, kemi një sektor financiar shumë stabil. Nëse e shohim sektorin bankar baza vjetore ka një rritje prej 10.4 për qind të kredive, rritje të depozitave 11.6 për qind. Nuk është kjo diçka që po e themi vetëm ne por janë edhe vlerësime që i bënë Banka Boterore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet tjera për këtë çështje.VOA

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë

​Rusia i pezullon gazin, reagon Moldavia: Putin po e përdor energjinë si armë