Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, priti të mërkurën në Tiranë drejtues të lartë të Bankës Botërore, për të diskutuar mbi zhvillimet ekonomike në vend, stabilitetin financiar dhe reformat që pritet të çohen përpara në vitet e ardhshme.
Në takim morën pjesë Xiaoqing Yu, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor, dhe Martha Licetti, menaxhere për rajonin. Sejko vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Bankës Botërore për Shqipërinë, sidomos nëpërmjet asistencës teknike dhe projekteve që lidhen me përmirësimin e rregullave në tregun financiar dhe forcimin e stabilitetit.
Gjatë bisedës, ai paraqiti një panoramë të ekonomisë shqiptare, duke theksuar se treguesit kryesorë ekonomikë, monetarë dhe financiarë janë në një ecuri pozitive. Sipas tij, edhe pse situata globale mbetet e pasigurt, vendimet për politikën monetare do të mbështeten tek të dhënat më të fundit, me synim ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe përshtatjen me politikat fiskale dhe kursin e këmbimit.
Palët në takim u ndalën edhe te prioritetet e reformave në sektorin financiar dhe projektet që mund të mbështeten në kuadër të paketës së re për vitet 2026-2027.
Në diskutim ishte edhe Programi i Vlerësimit të Sektorit Financiar, ku palët folën për pritshmëritë, priorietet dhe hapat që pritet të ndikojnë në forcimin e mëtejshëm të këtij sektori.
Një tjetër temë e diskutuar në takimin me Bankën Botërore, ishte progresi i arritur në drejtim të stabilitetit financiar, forcimi i kuadrit të mbikëqyrjes dhe përafrimi rregullator me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë këtu edhe mbështetjen e ofruar nga programi FINSAC.
Takimi preku edhe zhvillimet në modernizimin dhe digjitalizimin e sistemeve të pagesave, përfshirë ndikimin e anëtarësimit në SEPA dhe hapat për ndërtimin e sistemit të pagesave të menjëhershme. Në këtë drejtim, u diskutuan edhe mundësitë për mbështetje teknike nga Banka Botërore.
Në fund, palët ranë dakord për të vijuar bashkëpunimin dhe për të mbështetur reformat që synojnë forcimin e sektorit financiar dhe avancimin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Komente









